Home / Lajme / Ndërkombëtare / Izraeli godet portet dhe një termocentral në Jemen

Izraeli godet portet dhe një termocentral në Jemen

Izraeli ka ndërmarrë sulme ajrore mbi tre porte dhe një termocentral në zonat e kontrolluara nga rebelët Houthi në Jemen, në kuadër të operacionit “Flamuri i Zi”, konfirmoi Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz.

Sipas Izraelit, objektivat përfshinin edhe anijen komerciale Galaxy Leader, e cila ishte rrëmbyer nga Houthit në vitin 2023 dhe përdorej për monitorimin e anijeve në ujërat ndërkombëtare.

Pas sulmeve izraelite mbi portet e Hudaydah, Ras Isa dhe Saif, ushtria izraelite njoftoi se dy raketa u lëshuan nga territori i Jemenit drejt Izraelit. Sirenat u aktivizuan në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet thanë se rezultatet e ndërhyrjes së mbrojtjes ajrore janë ende në shqyrtim, raporton BBC.

Zëdhënësi i forcave të armatosura Houthi, të mbështetura nga Irani, deklaroi se mbrojtja ajrore e grupit përdori një numër të madh raketash të prodhimit vendas për të përballuar sulmin izraelit.

Mediat e kontrolluara nga Houthit konfirmuan goditjet në portin e Hudaydah, por nuk dhanë detaje për dëmet apo viktimat e mundshme.

Ministri Katz paralajmëroi për pasoja të mëtejshme: “Fati i Jemenit është i njëjtë me atë të Teheranit. Kushdo që përpiqet të dëmtojë Izraelin, do të dëmtohet. Kushdo që ngre dorën kundër Izraelit, do t’i pritet ajo dorë.”

Sulmet e fundit izraelite vijnë si përgjigje ndaj një sërë sulmesh raketore dhe detare të ndërmarra nga rebelët Houthi që nga fillimi i luftës mes Izraelit dhe Hamasit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com