Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) ka shpenzuar rreth 33 milionë euro për blerje energjie në tregjet ndërkombëtare vetëm gjatë muajit korrik 2025, për të përmbushur nevojat e furnizimit të vendit në kushtet e motit të thatë dhe mungesës së prodhimit të brendshëm.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga vetë KESH, nga janari deri në fund të korrikut, shpenzimet për importin e energjisë kanë arritur në 90 milionë euro, një shumë dukshëm më e lartë krahasuar me vitet me kushte të zakonshme hidrologjike.
Për periudhën korrik–gusht, vendi është mbështetur kryesisht në importe për të plotësuar konsumin, pasi prodhimi vendas nga hidrocentralet ka qenë i pamjaftueshëm për shkak të niveleve të ulëta të prurjeve në kaskadën e Drinit.
Shqipëria importon 26.5 mln euro energji, ndizen anijet e Vlorës
KESH ka zhvilluar disa procedura të hapura ndërkombëtare për blerje energjie, përmes të cilave ka siguruar sasi të konsiderueshme në intervale ditore dhe javore, me çmime që kanë reflektuar luhatjet e bursave rajonale dhe evropiane të energjisë.
Edhe pse çmimet e energjisë elektrike në tregjet evropiane kanë qenë më të qëndrueshme krahasuar me vitet e krizës energjetike, kostoja për Shqipërinë mbetet e lartë për shkak të strukturës së sistemit energjetik, i cili varet pothuajse tërësisht nga prodhimi hidro dhe ka mungesë kapacitetesh të tjera prodhuese alternative.
Ekspertët e sektorit theksojnë nevojën për investime të qëndrueshme në energji të ripërtëritshme dhe diversifikim të burimeve, si mënyrë për të reduktuar ekspozimin ndaj tregjeve ndërkombëtare dhe kostot e larta të importit në periudha të thatësisë.



