Kroacia ka ndarë 2.7 milionë euro për zhvillimin e një projekti për kapjen dhe ruajtjen e dioksidit të karbonit (CCS), në kuadër të Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes dhe Rezistencës të mbështetur nga Bashkimi Evropian.
Projekti synon të vlerësojë potencialin e vendit për ruajtjen gjeologjike të CO₂, duke përfshirë identifikimin e strukturave të përshtatshme nëntokësore, si akuiferët e thellë dhe rezervuarët natyrorë për depozitimin afatgjatë të karbonit.
Në kuadër të tij do të realizohet edhe një studim paraprak për ndërtimin e një impianti për ruajtjen e CO₂, si dhe do të zhvillohen mjete dhe analiza teknike për dizajnimin e sistemit të kapjes dhe depozitimit, përcjell Energy Monitor.
Autoritetet kroate theksojnë se përdorimi i fondeve evropiane po përshpejton zhvillimin e kapaciteteve të reja në sektorin e energjisë dhe industrisë, duke hapur rrugë për investime të reja dhe reduktim të emetimeve.
Ky projekt përbën një hap drejt dekarbonizimit të industrive me emetime të larta dhe përforcon rolin e teknologjive CCS në tranzicionin energjetik të rajonit.



