Në Prishtinë, më 24 prill 2026, ministrja Mimoza Kusari-Lila zhvilloi një takim me anëtarët e Këshillit për Zhvillim Industrial, ku u diskutuan dhe u dakorduan prioritetet dhe plani i punës për periudhën 2026–2028.
Sipas saj, ky plan përfaqëson një hap konkret drejt zbatimit të Strategjisë për Zhvillim Industrial, me fokus në forcimin e sektorit prodhues dhe përpunues në vend.
Gjatë takimit u identifikuan disa prioritete kryesore: zgjerimi i prodhimit industrial, ulja e deficitit tregtar dhe rritja e eksporteve, krijimi i vendeve të reja të punës, mbështetja e inovacionit dhe digjitalizimit, si dhe tranzicioni drejt një industrie të gjelbër dhe të qëndrueshme. Po ashtu, theks i veçantë iu dha rritjes së vlerës së shtuar brenda vendit.
Ministrja bëri të ditur se plani i punës parasheh masa konkrete për mbështetjen e bizneseve, përfshirë modernizimin, certifikimin, qasjen në tregje ndërkombëtare dhe investimet në teknologji dhe energji të ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.
Ajo shtoi se përmes zhvillimit të parqeve industriale dhe forcimit të bashkëpunimit me sektorin privat, akademinë dhe shoqërinë civile, synohet krijimi i një mjedisi më të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.
Në përfundim, ministrja theksoi se politikat do të harmonizohen me Agjenda e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe Planin e Rritjes për Kosovën, me synim ndërtimin e një industrie më të gjelbër, më digjitale dhe më konkurruese në tregjet ndërkombëtare.



