Eko Svest kërkon që Maqedonia e Veriut të orientohet më shumë drejt burimeve të rinovueshme të energjisë, në vend të investimeve në infrastrukturë gazi, transmeton Portalb.mk.
Në prag të Samitit 3SI në Dubrovnik, 47 organizata të shoqërisë civile u bënë thirrje të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilat aktualisht kanë shumë pak varësi nga gazi, të heqin dorë nga planet për ndërtimin e gazsjellësve të rinj dhe termocentraleve me gaz, si dhe të shmangin varësinë nga karburantet fosile që do të duhet të importohen.
Në krahasim me Bashkimin Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë varësi të ulët ose aspak nga gazi. Pavarësisht uljes së konsumit, në vitin 2024 gazi përbënte mbi 20% të energjisë së disponueshme në BE. Në Ballkanin Perëndimor, më të varura nga gazi ishin Serbia (14%) dhe Maqedonia (12%). Në Bosnje dhe Hercegovinë gazi përbën më pak se 3%, ndërsa Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova nuk janë të lidhura me infrastrukturë ndërkombëtare gazi.
“Në vend që kjo të shihet si avantazh, shumica e qeverive në Ballkanin Perëndimor po planifikojnë aktivisht gazsjellës, termocentrale dhe terminale LNG që mund të trefishojnë konsumin e gazit krahasuar me vitin 2023. Sipas deklaratës së përbashkët, këto projekte ose do t’i fusin vendet në varësi të shtrenjtë të importit, ose do të përfundojnë si investime jofunksionale”, thonë ekologët.
Ana Çoloviç Leshoska nga Eko Svest thekson se planifikimi i termocentraleve të reja me gaz në Maqedoni ngre pyetje serioze për qëndrueshmërinë ekonomike dhe ndikimin në objektivat klimatike.
“Sipas analizës sonë të fundit për vlerësimin e emetimeve nga infrastruktura e gazit në vend, planet aktuale janë tepër ambicioze, ndërsa ndërtimi i dy centraleve të kombinuara me gaz do të ishte financiarisht i paqëndrueshëm, veçanërisht në kushte të konkurrencës rajonale dhe rritjes së emetimeve të CO₂. Shteti duhet të zgjedhë me kujdes mes vazhdimit të varësisë nga karburantet fosile ose tranzicionit të përshpejtuar drejt burimeve të rinovueshme dhe një sistemi të qëndrueshëm energjetik”, tha Çoloviç Leshoska.
Organizatat u bëjnë thirrje qeverive të rajonit të fokusohen në prodhimin e energjisë elektrike nga dielli dhe era, të mbështetur nga hidrocentralet ekzistuese dhe rrjetet energjetike, si dhe në pompat e nxehtësisë, energjinë gjeotermale dhe përdorimin e nxehtësisë së mbetur për ngrohje dhe ftohje. Po ashtu, kërkohet rritje e efikasitetit energjetik dhe elektrifikim i sektorëve të ngrohjes dhe transportit.



