Sindikata e Re e KEK-ut ka bërë të ditur se ka nisur zyrtarisht procesi i vlerësimit të rrezikshmërisë së vendeve të punës në Korporatën Energjetike të Kosovës, një kërkesë e kahmotshme e punëtorëve të këtij sektori.
Sipas sindikatës, ky zhvillim përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në adresimin e një çështjeje të ngritur që nga viti 2017, përmes kërkesave të vazhdueshme, takimeve dhe insistimit institucional për njohjen e kushteve të vështira dhe rrezikshme në të cilat punojnë punëtorët e KEK-ut.
Sindikalistët theksojnë se vendet e punës në KEK janë ndër më të rrezikshmet në vend, duke përfshirë operimin në kushte teknike dhe industriale me ekspozim të vazhdueshëm ndaj rreziqeve profesionale.
Në reagimin e saj, Sindikata e Re e KEK-ut ka shprehur falënderim për Bordin dhe menaxhmentin e KEK-ut për, siç thuhet, përkushtimin dhe mbështetjen që procesi i vlerësimit të rrezikshmërisë të fillojë dhe të konkretizohet, njofton Energy Monitor.
Sindikata ka theksuar se ky është vetëm një hap i parë dhe se pritjet e punëtorëve mbeten të larta edhe për çështje të tjera të pazgjidhura, përfshirë pagën e 13-të, përmirësimin e kushteve të punës dhe trajtimin e pagave në përputhje me angazhimin dhe rrezikun në vendin e punës.
Po ashtu, sindikata ka rikujtuar se punëtorët e KEK-ut janë shtylla kryesore e sistemit energjetik të Kosovës, duke garantuar prodhimin dhe stabilitetin energjetik në kushte të vështira pune dhe me përgjegjësi të lartë për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.
Sindikata e Re e KEK-ut ka deklaruar se do të vazhdojë të ndjekë nga afër procesin dhe të angazhohet për përfundimin e tij me rezultate konkrete, në funksion të vlerësimit të drejtë të punës dhe rrezikut që mbajnë punëtorët e sektorit energjetik.



