Home / Lajme / Kosova / Sindikata pas marrëveshjes ndërmjet KEK dhe KESCO: KEK mban punëtorët të varfër, e pasurohen të tjerët

Sindikata pas marrëveshjes ndërmjet KEK dhe KESCO: KEK mban punëtorët të varfër, e pasurohen të tjerët

Pak pas publikimit të marrëveshjes së re ndërmjet KEK dhe KESCO, Sindikata e Re e Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka shprehur shqetësim dhe indinjatë lidhur me mënyrën e menaxhimit të obligimeve financiare në sektorin energjetik, duke ngritur çështjen e trajtimit të punëtorëve të kompanisë.

Në deklaratën e saj, sindikata thekson se është e papranueshme që të ketë fleksibilitet financiar dhe marrëveshje për shtyrje apo riprogramim të detyrimeve ndaj subjekteve të ndryshme ekonomike, ndërkohë që, sipas tyre, vazhdohet të mos adresohen disa të drejta të punëtorëve të KEK-ut.

Sindikata përmend çështje si pagesat për ndërrime dhe vikende, paga e 13-të, si dhe përshtatja e pagave me inflacionin dhe tregun e punës, duke theksuar se këto çështje mbeten të pazgjidhura pavarësisht vendimeve gjyqësore në fuqi, njofton Energy Monitor.

Sipas sindikatës, punëtorët kanë marrë vazhdimisht arsyetimin e mungesës së kapaciteteve buxhetore, ndërkohë që praktikat aktuale financiare, siç thuhet në deklaratë, tregojnë ekzistencë të hapësirës për marrëveshje dhe lehtësime në sektor.

Sindikata thekson se punëtorët e KEK-ut janë faktor kyç në funksionimin e sistemit energjetik dhe kërkon trajtim të barabartë, respektim të detyrimeve ligjore dhe vendosjen e tyre në qendër të prioriteteve institucionale dhe financiare.

Ndryshe, deklarimet e Sindikatës erdhën pak pasi KEK njoftoi se ka arritur marrëveshje me KESCO’n që sipas saj, synon të sigurojë “stabilitet tarifor” dhe të mbrojë konsumatorët nga rritja e çmimit të energjisë elektrike për vitin 2026.

Në thelb të kësaj marrëveshjeje qëndron aplikimi i një mekanizmi të përkohshëm për shpërndarjen e kostove, i propozuar nga ZRRE, i cili synon të shmangë ndikimin e menjëhershëm të rritjes së kostove në tarifat e energjisë elektrike.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com