Bashkimi Evropian ka miratuar 104 milionë euro financim për projektin ndërkufitar “Smart Grid CARMEN”, që synon modernizimin dhe digjitalizimin e rrjeteve energjetike të Rumanisë dhe Bullgarisë.
Projekti ka vlerë totale prej rreth 207 milionë eurosh dhe financohet përmes programit evropian “Connecting Europe Facility” (CEF), ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga partnerët e projektit: Delgaz Grid, Transelectrica dhe operatori bullgar Elektroenergien Sistemen Operator.
Sipas Komisionit Evropian dhe operatorëve të përfshirë, projekti synon rritjen e kapacitetit për integrimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme, përmirësimin e interkoneksioneve ndërkufitare dhe forcimin e sigurisë energjetike në Evropën Juglindore, përcjell Energy Monitor.
Investimet do të fokusohen në automatizimin dhe digjitalizimin e rrjeteve të transmisionit dhe shpërndarjes, përfshirë sisteme të monitorimit në kohë reale dhe teknologji të avancuara të rrjetit inteligjent energjetik.
Projekti CARMEN konsiderohet një nga projektet strategjike energjetike të rajonit dhe pritet të ndihmojë integrimin më të madh të energjisë së gjelbër në tregun evropian të energjisë.



