Çmimet globale të naftës kanë shënuar rënie të ndjeshme, ndërsa tregjet financiare në Azi janë rritur, pas sinjaleve për një marrëveshje të mundshme që synon uljen e tensioneve mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe stabilizimin e situatës në Lindjen e Mesme, raporton BBC.
Sipas raportimit, Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një marrëveshje me Teheranin është “negociuar në masë të madhe”, megjithëse ka theksuar se detajet ende po finalizohen dhe nuk duhet të nxitohet me përfundimet.
Në tregjet aziatike, çmimi i naftës Brent ra me rreth 5.5%, duke zbritur në 97.90 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane u ul me 5.8%, në 90.99 dollarë. Lëvizja u lidh me pritjet për ulje të rrezikut gjeopolitik dhe mundësinë e rihapjes së rrugëve kryesore të furnizimit me energji.
Sipas deklarimeve të raportuara, një element kyç i diskutimeve lidhet edhe me Ngushticën e Hormuzit, një nga pikat më të rëndësishme strategjike për transportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm (LNG), përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore.
Tregjet e aksioneve në Azi reaguan pozitivisht, me indeksin japonez Nikkei 225 që shënoi rritje mbi 2.9%, duke reflektuar optimizmin e investitorëve për një ulje të tensioneve energjetike dhe gjeopolitike.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë paralajmëruar se, ndonëse ka afrim të qëndrimeve, ende nuk ekziston një marrëveshje përfundimtare për çështjet kryesore, duke lënë procesin negociator të hapur dhe të pasigurt.



