Otava dhe Berlini pritet të finalizojnë marrëveshjen e parë të madhe për furnizim me gaz natyror të lëngshëm.
Kanadaja dhe Gjermania pritet të shpallin këtë javë një marrëveshje historike për eksportin e gazit natyror të lëngshëm (LNG) nga provinca e Kolumbias Britanike drejt tregut gjerman, në atë që konsiderohet si kontrata e parë e këtij lloji mes Kanadasë dhe një vendi evropian.
Sipas raportimit të CBC News, marrëveshja do të lidhet mes kompanisë Ksi Lisims LNG, me bazë në Kolumbinë Britanike, dhe kompanisë gjermane SEFE.
Burime të njohura me procesin i thanë medias kanadeze se kontrata parashikon furnizimin e Gjermanisë me një milion ton metrikë LNG në vit, duke shënuar një hap të rëndësishëm në përpjekjet evropiane për diversifikimin e burimeve energjetike.
Sekretari i Energjisë i Kolumbias Britanike, Adrian Dix, nuk konfirmoi drejtpërdrejt palët e marrëveshjes, por la të kuptohet se kompania kanadeze ka punuar prej kohësh për zgjerimin e tregjeve ndërkombëtare.
“Ksi Lisims padyshim ka qenë duke punuar për ndërtimin e tregjeve në mbarë botën, ndaj ky është njoftimi i tyre”, tha ai për gazetarët.
Ndërkohë, ministri kanadez i Energjisë, Tim Hodgson, pritet të japë një deklaratë në Vankuver mbi eksportet ndërkombëtare të energjisë, ku priten edhe detajet zyrtare të marrëveshjes.
Kryeministri i Kolumbisë Britanike, David Eby, e cilësoi marrëveshjen si një zhvillim të rëndësishëm për finalizimin e investimeve në kompleksin LNG.
“Një pjesë e punës së nevojshme për të marrë vendimin përfundimtar të investimit është lidhja e marrëveshjeve të blerjes së LNG-së nga kompleksi. Një njoftim i rëndësishëm për blerjen e LNG-së nga një partner evropian na afron me këtë objektiv”, deklaroi Eby.
Marrëveshja vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po kërkon alternativa për furnizimin me energji, ndërsa shqetësimet për varësinë energjetike dhe tensionet gjeopolitike mbeten të larta.
Në fillim të këtij viti, raportime të ndryshme sugjeruan se BE-ja po shqyrtonte opsione të reja për furnizim me LNG, mes pasigurive të lidhura me politikën e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përfshirë qëndrimet e tij ndaj Groenlandës.



