Profesori dhe analisti amerikan Daniel Serwer ka deklaruar se Kosova mund t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm amerikan (LNG) vetëm në rast se alternativat energjetike janë të barabarta në kosto dhe fizibilitet, por theksoi se vendimi përfundimtar duhet të merret nga Qeveria e Kosovës dhe jo nga përfaqësues diplomatikë.
Në një intervistë për Gazetën Express, Serwer u shpreh se çështja e zgjedhjes së burimeve energjetike nuk mund të trajtohet vetëm si vendim politik apo vetëm si çështje teknike, por duhet të marrë parasysh njëkohësisht aspektin ekonomik, teknik dhe atë të sigurisë energjetike.
“Nëse të gjitha alternativat e tjera janë të barabarta në kosto dhe fizibilitet, sigurisht që do të doja që Kosova të përdorte LNG-në amerikane. Por jo të gjitha alternativat janë të barabarta dhe teknikisht nuk jam i kualifikuar t’i peshoj ato kundrejt propozimit të SHBA-së. Ky është një vendim që duhet ta marrë Qeveria e një Kosove sovrane dhe të pavarur,” ka deklaruar Serwer.
Ai shtoi se një projekt i tillë do të ishte i madh dhe i kushtueshëm, prandaj duhet vlerësuar me kujdes në raport me alternativat ekzistuese dhe nevojat reale të vendit.
Duke komentuar debatin politik në Kosovë, Serwer theksoi se vendimmarrja nuk duhet të mbetet as në nivel diplomatik dhe as individual, por në institucionet e zgjedhura të vendit.
Në lidhje me qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti për opsionin e lidhjes me gazin në Vlorë si alternativë ndaj LNG-së amerikane, Serwer u shpreh se qëndrimi i tij është i qartë dhe se Shtetet e Bashkuara mund të përmirësojnë ofertën e tyre për ta bërë atë më tërheqëse.



