Nga panelet diellore te robotët industrialë dhe lëndët e para strategjike, ekonomia evropiane po bëhet gjithnjë e më e varur nga Kina. Një analizë e publikuar nga Euronews, ngre alarmin se në disa sektorë kyçe, Bashkimi Evropian ka humbur pothuajse plotësisht alternativat prodhuese, duke e kthyer varësinë ekonomike ndaj Pekinit në një çështje strategjike dhe gjeopolitike.
Sipas të dhënave të Eurostat, importet e BE-së nga Kina arritën në 559.4 miliardë euro gjatë vitit 2025, me një rritje prej 89% krahasuar me vitin 2015. Vetëm vitin e kaluar, eksportet evropiane drejt Kinës ranë me 6.5%, ndërsa importet nga Kina u rritën me 6.4%, duke çuar deficitin tregtar në afro 360 miliardë euro.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e ka cilësuar këtë fenomen si një “shok të ri kinez”, duke paralajmëruar se Kina po përmbyt tregjet globale me kapacitete prodhuese të subvencionuara që tregu i saj i brendshëm nuk mund t’i absorbojë.
Një nga varësitë më të mëdha të Evropës lidhet me energjinë e ripërtëritshme dhe teknologjitë e gjelbra. Kina furnizoi 98% të importeve të paneleve diellore të BE-së gjatë vitit 2024. Ndërkohë, 88% e baterive litium-jon për automjetet elektrike të importuara në Evropë vijnë nga Kina, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2019.
Varësia nuk ndalet vetëm te produktet finale. BE siguron nga Kina rreth 98% të magnetëve me metale të rralla, të domosdoshëm për motorët elektrikë, turbinat e erës dhe sistemet e mbrojtjes. Edhe magnezi, një material strategjik për bateritë e gjeneratës së ardhshme dhe teknologjitë e hidrogjenit, importohet në masën 97% nga Kina.
Ekspertët paralajmërojnë se tranzicioni i gjelbër evropian po mbështetet mbi një zinxhir furnizimi që Brukseli nuk e kontrollon.
Robotët industrialë: Kina po dominon automatizimin
Një tjetër sektor ku ndikimi kinez po rritet me ritme të shpejta është robotika industriale. Sipas të dhënave të Komisionit Evropian, importet e robotëve industrialë nga Kina drejt BE-së u rritën me 315% nga fillimi i vitit 2025 deri në fillim të vitit 2026, ndërsa çmimet mesatare ranë me 29%.
Dominimi i Kinës në këtë industri lidhet drejtpërdrejt me strategjinë “Made in China 2025”, e mbështetur nga subvencione shtetërore, kredi të lira dhe politika fiskale favorizuese. Sot, Kina prodhon më shumë robotë industrialë sesa Gjermania, Japonia, Koreja e Jugut dhe SHBA së bashku.
Kjo po shton frikën se industria evropiane mund të përballet me një valë të re deindustrializimi, të ngjashme me atë që SHBA përjetoi në fillim të viteve 2000.
Kimikatet, tekstilet dhe druri: presioni mbi industrinë evropiane
Edhe industria kimike evropiane po ndjen presionin e konkurrencës kineze. Komisioni Evropian evidentoi se disa komponime kimike po importohen nga Kina me ritme 36 herë më të larta se një vit më parë, ndërsa çmimet kanë rënë deri në 95%.
Në sektorin tekstil, Kina vijon të dominojë furnizimet jo-evropiane për veshje dhe këpucë, duke përfaqësuar rreth 30–35% të importeve totale të BE-së në këtë kategori.
Ndërkohë, produktet e drurit janë kthyer në një tjetër pikë tensioni. Importet e parketeve të montuara nga Kina u rritën mbi dhjetë herë brenda një viti, ndërsa çmimet ranë me 77%. Për këtë arsye, Komisioni Evropian vendosi tarifa mbrojtëse deri në 36.1%, për të mbrojtur një industri evropiane me mbi 10 mijë vende pune dhe vlerë rreth 1.3 miliardë euro.
Evropa kërkon “Made in EU”
Përballë kësaj situate, Brukseli po shtyn përpara politika të reja industriale. Komisioni Evropian ka propozuar rregulla “Made in EU” për sektorët strategjikë, me synimin për të reduktuar varësinë nga importet kineze dhe për të forcuar prodhimin vendas në industri si çeliku, alumini, automjetet elektrike dhe energjia e ripërtëritshme.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se reagimi evropian ka qenë kryesisht reaktiv dhe jo parandalues. Tarifat dhe masat mbrojtëse po vendosen pasi dëmi në industri është materializuar tashmë. Sfida reale mbetet nëse Evropa ka ende kapacitetin industrial dhe vullnetin politik për të ndërtuar alternativa reale ndaj dominimit kinez.
/Përshtati nga Euronews, ekofin.al



