Home / Lajme / Kosova / Pse partitë politike të Kosovës nuk përkrahin ndërtimin e B3-shit për siguri nacionale energjetike?

Pse partitë politike të Kosovës nuk përkrahin ndërtimin e B3-shit për siguri nacionale energjetike?

Partitë politike kanë premtime pa mbulesë, të parealizueshme nga shteti i brishtë i Kosovës, shpërfaqin ëndrra dhe projekte futuriste, të cilat Kosova e varfër nuk mund t’i realizojë me vite dhe dekada të tëra, nuk kanë vizion për zhvillimin e sektorit elektroenergjetik të vendit, ndërkohë që projektet të cilat janë të realizueshme dhe thuajse me garanci për të siguruar energji elektrike të bollshme nuk i shohin fare.

Partitë politike të Kosovës nuk kanë vizion për zhvillimin e sektorit energjetik në përgjithësi dhe të atij elektroenergjetik në veçanti. Kanë premtime pa mbulesë, të parealizueshme nga shteti i brishtë i Kosovës, shpërfaqin ëndrra dhe projekte futuriste, të cilat Kosova e varfër nuk mund t’i realizojë me vite dhe dekada të tëra, ndërkohë që projektet të cilat janë të realizueshme dhe thuajse me garanci për të siguruar energji elektrike të bollshme nuk i shohin fare. Këto konstatime të hidhura, fatkeqësisht, janë të vërteta dhe mbështeten në programet e partive politike garuese për ta fituar pushtetin, përkatësisht për të vendosur për të ardhmen elektroenergjetike të vendit. Nëse shikohen programet e partive politike (të zgjedhjeve të pritshme, ato të 7 qershorit, por edhe programet e zgjedhjeve të kaluara) për sektorin e energjisë, më saktësisht të elektroenergjisë, shihet që nuk pati dhe ende nuk ka një vizion të qartë, as ndonjë parashikim real që do të përmbushte më shpejt nevojat e kosovarëve për energji elektrike, dhe në këto programe, praktikisht mungon adresimi i nevojave reale të këtij sektori.

Programet dhe vizionet e partive pretenduese për pushtet, thënë më drejtpërdrejt, janë vazhdimësi e dështimeve 26-27-vjeçare në sektorin e elektroenergjisë në Kosovë. Partitë, përfaqësuesit e tyre, në një farë mënyre të përcaktuar nga subjektet garuese politike për të shpërfaqur synimet dhe vizionet e tyre zhvillimore në sektorin elektroenergjetik të vendit, janë treguar shumë miopë (dritëshkurtër), të padijshëm dhe të paaftë për të parashikuar projekte reale, të realizueshme financiarisht dhe fizikisht, dhe që janë “me këmbë në tokë” dhe që kanë për bazë resurset tona të pashtershme energjetike. Politikanët e Kosovës, edhe këta aktualët në detyrë, edhe ata që pretendojnë vendimmarrjen në sektorin elektroenergjetik, kanë harruar se Kosova ka 12-13 miliardë tonelata linjit të verifikuara dhe atë në sipërfaqe të tokës me shumë lehtësira për eksploatim të këtij resursi.

Partitë tona e kanë shpallur qymyrin, miliardat e tonelatave të tij që e kemi në prag të derës, heretik, tabu dhe as që i kthehet seriozisht ndokush nga pretendentët e ardhshëm që do ta udhëheqin sigurimin elektroenergjetik të mjaftueshëm për vendin. Në paraqitjet e tyre publike shpërfaqin ëndrra, vizione futuriste që nuk do të mund t’i realizonin as super-shtetet, parashohin dhe premtojnë gazin e lëngshëm, i cili praktikisht është i parealizueshëm në konditat aktuale në Kosovë, premtojnë broçkulla të tjera elektroenergjetike, duke injoruar resurset e bollshme që na i ka falur natyra dhe që i kanë para “hundës” dhe të cilin e lakmojnë ta kishin të gjitha vendet e botës.

Pushtetarët aktualë janë përqendruar tërësisht te vizionet e ndërtimit të kapaciteteve të prodhimit të energjisë së rinovueshme, por edhe këto vizione dhe plane të emërtuara si konkrete në këto vite të qeverisjes së tyre nuk janë realizuar. Nuk është realizuar asnjë nga projektet e planifikuara në këto vitet e qeverisjes së VV-së.

Duhet thënë se partia në pushtet parasheh rehabilitimin e Kosovës B dhe rindërtimin e vetëm një njësie të Kosovës A, krahas kapaciteteve të energjisë së rinovueshme si zgjidhje të problemit elektroenergjetik të vendit. Ndërsa partitë opozitare, sidomos LDK-ja, zgjidhjen e shohin te gazi i lëngshëm, ndërtimi i një centrali me gaz. Kurse centrali me gaz, siç thonë shumica e ekspertëve dhe njohësve të mirë të rrethanave elektroenergjetike të vendit, në rrethanat aktuale është projekt gati utopik, nëse merret parasysh fakti se ende mungon infrastruktura rajonale e tubacioneve. Është projekt me shumë të panjohura, shumë i kushtueshëm dhe që do të na ekspozonte sërish nga çmimet e larta të importit.

Edhe nëse do të nisej sot, minimalisht 10 vite do të merrte kohë vetëm ndërtimi i infrastrukturës. Dhe po harrohet se gazi i nevojshëm prapëseprapë duhet blerë, sado i kushtueshëm të jetë ai, sepse Kosova nuk ka gaz, as nuk prodhon gaz. Në anën tjetër, qeveria aktuale, krahas rehabilitimit të Kosovës B, parasheh rindërtimin e vetëm një njësie të Kosovës A, sado që dihet, e kanë të qartë edhe autoritetet e tashme në detyrë, se kjo do të ishte vetëm një zgjidhje e përkohshme dhe pastaj prapë do të paraqitej krizë energjetike në Kosovë.

Me fjalë të tjera, për të tejkaluar krizën kronike elektroenergjetike të Kosovës në afate më të gjata, nuk mjaftojnë as riparimet, qofshin ato edhe më të detajuara dhe më të gjithanshme të termocentraleve të supervjetruara, as centralet me gaz dhe fatkeqësisht, as qindra megavat-orë po të siguroheshin nga kapacitetet e energjisë së rinovueshme, qoftë në bazë të erës, qoftë asaj solare. Sepse Kosovës i duhet energji elektrike jo vetëm në ditët kur ka erë të mjaftueshme për të rrotulluar elisat e centraleve me erë; i nevojitet edhe në orët e natës, kur pushon prodhimi në centralet me diell.

Ekspertët me përvojë, ata që i njohin detajisht potencialet reale të resurseve dhe mundësitë financiare të vendit, megjithatë kanë paraparë zgjidhje të mundshme të sigurimit të furnizimit të vendit me energji elektrike. Në këtë kontekst, kanë bërë publike projekte praktike, fare të mundshme për t’u realizuar shpejt dhe me kosto të përballueshme dhe të mbështetura qind për qind në resurset e vendit.

Luigj Imeri, ish-kreu i Korporatës Energjetike të Kosovës dhe një njohës i afirmuar i zhvillimeve elektroenergjetike të vendit, veçmas të KEK-ut, në dhjetor të 2025-ës bëri publik një ide, projekt-vizion për sigurinë e mundshme energjetike të Republikës së Kosovës, që nga shumëkush, edhe nga ekspertë të fushës, pas bërjes publike të tij, konsiderohej se do të ishte një zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar krizën elektroenergjetike në Kosovë.

Sipas vlerësimeve të Imerit, duke pasur parasysh nevojat strategjike për sigurinë energjetike të Kosovës, “ndërtimi i një njësie të re prodhuese në vazhdim të TC Kosova B, Kosova B3 me kapacitet rreth 500 megavatësh, paraqet zgjidhjen më reale, më ekonomike dhe më të qëndrueshme për vendin”.

Sipas Imerit, ky projekt mund të realizohet duke shfrytëzuar projektin ekzistues të zhvilluar nga General Electric (GE) për “Kosovën e Re”, i cili tashmë është pronë e Republikës së Kosovës.

“Si i tillë, nuk ka nevojë për projektim të ri, duke kursyer kohë, mjete financiare dhe duke shmangur vonesa administrative”, ka detajuar idenë e projektit të mundshëm dhe të realizueshëm Luigj Imeri.

Ai ka elaboruar edhe aspektin financiar të projektit të paraqitur si vizion. Sipas tij, kostoja e përgjithshme e projektit vlerësohet rreth 1 miliard euro, ndoshta edhe më pak, për shkak të shfrytëzimit të infrastrukturës ekzistuese (lokacioni, lidhjet me rrjetin, uji ftohës, transporti i linjitit).

Ndërsa ka paraparë që “projekti mund të financohet drejtpërdrejt nga buxheti i Republikës së Kosovës, i shpërndarë në një periudhë 5-vjeçare, me një ngarkesë vjetore jo më shumë se 200 milionë euro, nivel ky i përballueshëm për financat publike”.

Sipas Imerit, përfitimet strategjike me realizimin e njësisë B3 të termocentraleve Kosova B do të ishin: rritja e ndjeshme e sigurisë nacionale energjetike, duke reduktuar varësinë nga importi, stabilizimi dhe ruajtja e kostos së energjisë për qytetarët dhe ekonominë vendore, si dhe sigurimi i furnizimit të qëndrueshëm për zhvillim industrial dhe investime të reja.

Imeri ka parashikuar në vizionin e tij edhe aspektin mjedisor të këtij projekti, duke shtuar se “falë përdorimit të teknologjisë më të avancuar të djegies së linjitit, ndikimi ambiental do të jetë dukshëm më i ulët krahasuar me njësitë ekzistuese, do të jetë në përputhje me standardet moderne evropiane për emetimet, dhe do të ishte një hap tranzitor realist drejt një sistemi më të gjelbër energjetik”.

Në përfundim të idesë së tij, eksperti Luigj Imeri ka konkluduar se “TC Kosova B3 nuk është vetëm një projekt energjetik, por një investim strategjik shtetëror që garanton siguri, stabilitet ekonomik dhe mbrojtje sociale për qytetarët e Kosovës, duke shfrytëzuar maksimalisht asetet që shteti tashmë i zotëron”.

Pas bërjes publike të këtij vizioni, ekspertë të shumtë të energjetikës në vend i kanë thënë Buletinit Ekonomik se ky projekt do të ishte zgjidhje fatlume dhe reale për të tejkaluar domosdo krizën elektroenergjetike në Kosovë.

500 megavatë plus energji do të ishte një zgjidhje e mirë realisht e mundshme, goxha e shpejtë dhe, ç’është me rëndësi, projekti do të mund të ndërtohej deri në përmbyllje me mjete financiare të vendit. Por njësia B3 me kapacitet 500 megavatësh do të valorizonte mundësitë e përdorimit të qymyrit si burim energjetik, i lënë anash në këto vitet e fundit në projektet zhvillimore në Kosovë nga frika e taksave të përdorimit të tij në prodhimin e energjisë elektrike dhe i ndikuar nga ca parashikime jo reale të dekarbonizimit të Kosovës të vijëzuar edhe nga dokumente, plane e rezoluta nga asociacionet ndërkombëtare energjetike.

Duhet thënë se, sado që në Kosovë tash e sa vjet, sidomos që nga shpërfaqja evidente e krizës globale energjetike (2021-2022), ka mungesë evidente të energjisë elektrike dhe sado që ka rezerva marramendëse të qymyrit (rreth 12-13 miliardë tonelata rezerva të verifikuara), dhe sado që kjo sasi e këtij resursi natyror energjetik gjendet thuajse në sipërfaqe të tokës dhe te dera e termocentraleve të vjetruara, mundësia e përdorimit të qymyrit si burim energjetik edhe në këtë kohë krize të madhe, është bërë thuajse inekzistente nga autoritetet aktuale dhe nga partitë opozitare.

Në anën tjetër, në shumë vende të botës dhe sidomos të Evropës, me gjithë premtimet për të bërë tranzicionin energjetik dhe dekarbonizimin sipas apeleve të asociacioneve ndërkombëtare energjetike, iu rikthyen qymyrit si burim energjetik. U aktivizuan shumë termocentrale të vjetra dhe u rivitalizuan shumë të tjera. Lufta ruso-ukrainase dhe kriza e shkaktuar nga reduktimi drastik i furnizimeve me gaz nga Rusia, e bëri sërish qymyrin në mënyrë të papritur shumë të kërkuar në shumë vende të Evropës.

Fatmirësisht, Departamenti Amerikan i Shtetit, këto ditë, ka publikuar një raport të ri për politikën e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor, dhe një pjesë e rëndësishme e raportit lidhet me projektet strategjike në energji dhe infrastrukturë. Raporti thekson se infrastruktura energjetike në Ballkan mbetet e vjetëruar dhe në disa raste e varur nga ndikimi rus, ndaj SHBA synon të mbështesë investime të reja në energji, transport dhe teknologji. Mes projekteve prioritare përmenden zhvillimi hidroenergjetik në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, modernizimi i termocentraleve në Kosovë, si dhe ndërtimi i interkonektorëve të rinj të gazit dhe energjisë në rajon. Me përmendjen si projekt prioritar edhe modernizimin e termocentraleve në Kosovë, Departamenti Amerikan i Shtetit ka dhënë “izën” për të vazhduar me shfrytëzimin e qymyrit si burim elektroenergjetik, sepse modernizimi i termocentraleve në Kosovë nuk mund të paramendohet pa përdorimin e qymyrit si resurs energjetik.

Dhe krejtësisht në fund, Termocentrali B3 është një projekt konkret me një pjesë dërrmuese të kapaciteteve të nevojshme fare të gatshme, ndërsa 200 milionë sa do të duhej të siguroheshin brenda një viti, sa do të zgjaste ndërtimi për 5 vjet, nuk do të ishte ndonjë problem i pakapërcyeshëm edhe për Kosovën e varfër. Këto dhe shumë më shumë para në këto vite kanë shkuar për të importuar energji elektrike për të zbutur mungesën e madhe të rrymës. Pse nuk i kanë parasysh këto fakte partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre gjatë shpërfaqjeve të vizioneve të tyre për zhvillimin e sektorit elektroenergjetik të vendit.

/Buletini Ekonomik

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com