Home / Lajme / Rajoni / Shqipëri: Projektligj i ri për energjinë elektrike, tregu drejt liberalizimit të plotë

Shqipëri: Projektligj i ri për energjinë elektrike, tregu drejt liberalizimit të plotë

Tregu i energjisë elektrike në Shqipëri do te jetë i lirë. Projektligji i ri në Shqipëri synon liberalizimin e plotë të tij dhe integrimin me tregun evropian të energjisë. 

Kohë më parë, Ministria e Energjisë në Shqipëri ka hedhur në konsultim publik një nga projektligjet më të rëndësishme për transformimin e sektorit energjetik, “Për sektorin e energjisë elektrike”, një nismë që synon të riformatojë tërësisht mënyrën se si funksionon tregu i energjisë në vend.

Projektligji synon liberalizimin e tregut, rritjen e konkurrencës dhe integrimin e plotë me tregun evropian të energjisë.

Qëllimi është garantimi i furnizimit të qëndrueshëm dhe të sigurt me energji elektrike, përmes krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues, duke vendosur në qendër interesat e konsumatorëve, transparencën e çmimeve dhe mbrojtjen e mjedisit.

Në këtë kuadër, një nga shtyllat kryesore të projektligjit është përafrimi i plotë me paketën “Clean Energy Package” të Bashkimit Evropian.

Projektligji sjell një ndryshim të rëndësishëm të modelit të tregut, duke kaluar nga një sistem më i centralizuar dhe i dominuar nga ndërhyrja shtetërore, drejt një tregu të liberalizuar, ku konkurrenca dhe sinjalet e tregut do të luajnë rol kyç në përcaktimin e çmimeve dhe investimeve. Në këtë model të ri, roli i shtetit zhvendoset nga operator aktiv në garantues të rregullave dhe mbikëqyrës të funksionimit të tregut, duke krijuar hapësira më të mëdha për aktorët privatë dhe investimet.

Gjithashtu parashikohet transformimi i rolit të konsumatorit. Për herë të parë, projektligji e trajton konsumatorin jo vetëm si përfitues të shërbimit, por si pjesëmarrës aktiv në treg. Koncepte të reja si “klienti aktiv”, “komunitetet e energjisë” dhe “ndarja e energjisë” krijojnë mundësi që qytetarët dhe bizneset të prodhojnë, konsumojnë dhe madje të tregtojnë energjinë e tyre.

/euronews.al

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com