Në vitin 2025, dështimet sistematike në zbatimin e ligjit kanë lejuar që emetimet e dioksidit të sulfurit (SO₂) nga termocentralet e vjetruara me qymyr në Ballkanin Perëndimor të tejkalojnë kufijtë ligjorë me 6.6 herë, sipas edicionit të tetë të raportit të Bankwatch “Comply or Close”. Edhe emetimet e oksideve të azotit (NOx) kanë vazhduar të tejkalojnë kufijtë ligjorë, ndërsa ndotja nga pluhuri është rritur, duke arritur nivelin më të lartë që nga hyrja në fuqi e rregullave aktuale në vitin 2018.
Tetë vite pas hyrjes në fuqi të standardeve të kontrollit të ndotjes sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, në vitin 2025 emetimet e dioksidit të sulfurit nga termocentralet me qymyr të përfshira në Planet Kombëtare për Reduktimin e Emetimeve (NERP) të Bosnjë dhe Hercegovinës, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë qenë ende kolektivisht 6.6 herë mbi kufirin e lejuar.
Termocentralet e Bosnjë dhe Hercegovinës të përfshira në NERP kanë qenë ndotësit më të mëdhenj të SO₂, me 196,940 tonë, ose 12.7 herë mbi kufirin e lejuar. Serbia renditet e dyta, me 177,756 tonë, ose 5.1 herë mbi kufirin e lejuar.
Në nivel rajonal, emetimet e SO₂ janë ulur vetëm në mënyrë modeste që nga viti 2018. Ndërkohë, kufijtë e emetimeve në vitin 2025 kanë qenë më të rreptë se në vitet e mëparshme, duke çuar në shkelje edhe më të mëdha.
Ndotësi më i madh i SO₂ në vlera absolute vazhdon të jetë Ugljevik në Bosnjë dhe Hercegovinë, pavarësisht se është i pajisur me teknologji për desulfurizim. Emetimet e tij në vitin 2025, prej 115,079 tonësh, kanë qenë më të lartat që nga hyrja në fuqi e rregullave të kontrollit të ndotjes në vitin 2018.
Pesë njësi të qymyrit kanë tejkaluar kufijtë e emetimeve të SO₂ me më shumë se dhjetë herë në vitin 2025 – Bitola B1 & B2 dhe B3 në Maqedoninë e Veriut; si dhe Ugljevik, Gacko dhe Kakanj 6 në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Ndotja nga pluhuri ka qenë 2.9 herë mbi kufirin e lejuar në vitin 2025, duke arritur nivelin më të lartë absolut dhe relativ që nga hyrja në fuqi e rregullave në vitin 2018.
Kjo është nxitur kryesisht nga një rritje e madhe në termocentralin Bitola në Maqedoninë e Veriut, i cili ka dyfishuar emetimet krahasuar me vitin 2024 dhe vetëm ai ka emetuar më shumë se 7,094 tonët e lejuar për të gjithë rajonin.
Gacko në Bosnjë dhe Hercegovinë ka qenë sërish ndotësi më i madh relativ i pluhurit. Pavarësisht një rënieje të lehtë krahasuar me vitin 2024, ai ka emetuar 15.1 herë më shumë se kufiri i lejuar.
Ashtu si në vitin 2024, emetimet totale të oksideve të azotit nga termocentralet NERP në vitin 2025 kanë qenë 1.4 herë mbi kufirin e lejuar. Kosova, Bosnjë dhe Hercegovina dhe Serbia kanë tejkaluar sërish kufijtë e tyre ligjorë, ndërsa Nikola Tesla B në Serbi ka qenë ndotësi më i madh me 11,247 tonë.
Përveç shkeljeve të NERP, në fund të vitit 2023 ka skaduar afati për mbylljen e termocentraleve më të vegjël dhe më të vjetër sipas derogimit “opt-out”. Të tre vendet e Ballkanit Perëndimor që kanë termocentrale me qymyr të përfshira në këtë rregull – Bosnjë dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Serbia – vazhdojnë ta shkelin atë.
Termocentrali “Pljevlja” në Mal të Zi është rinovuar në vitet e fundit dhe ka qenë pjesërisht jashtë funksionit gjatë vitit 2025; megjithatë, nuk ka prova se ai përmbush standardet e ndotjes që do t’i mundësonin vazhdimin e operimit. “Tuzla 4” dhe “Kakanj 5” në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe “Morava” dhe “Kolubara A” në Serbi, vazhdojnë të operojnë edhe më shumë se dy vite pas afatit përfundimtar të mbylljes.
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë ka hapur disa raste të shkeljes kundër këtyre vendeve (3), duke konfirmuar operimin e paligjshëm të termocentraleve me qymyr. Megjithatë, asnjë qeveri nuk ka vendosur ende penalitete ndaj termocentraleve në fjalë, dhe as nuk ka plane të qarta, të përditësuara dhe realiste për përmbushje apo mbyllje.
Ndërkohë, regjimi përfundimtar i Mekanizmit të Rregullimit të Kufirit të Karbonit të BE-së (CBAM) ka hyrë në fuqi në janar 2026, duke rritur kostot e eksportit të energjisë elektrike dhe duke sfiduar më tej rentabilitetin e termocentraleve me qymyr në rajon. Në vitet e fundit, Bosnjë dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë shënuar rënie të prodhimit të energjisë nga qymyri, pavarësisht mungesës së mbylljes së impianteve.
Davor Pehçevski, Koordinator për Energjinë në Ballkan në Bankwatch – “Në disa vende të Ballkanit Perëndimor kemi tani më të keqen e të dy botëve: rënie të prodhimit të energjisë nga qymyri pa një plan të qartë për të zbutur pasojat socio-ekonomike, të kombinuar me nivele të larta – dhe në disa raste edhe në rritje – të ndotjes. Në vend që të zbatojnë masat për kontrollin e ndotjes, qeveritë po mbyllin sytë. Kjo shkon përtej shëndetit publik dhe mjedisit, duke prekur parimet themelore si barazia para ligjit.”
Ioana Ciută, Udhëheqëse e Fushës Strategjike – Përtej Lëndëve Fosile në Bankwatch – “Edhe pse qeveritë e Ballkanit Perëndimor mbajnë përgjegjësinë kryesore, institucionet e BE-së duhet të rrisin presionin, duke kushtëzuar financimet dhe procesin e integrimit me përputhje me rregullat; duke dërguar mesazhe të qarta publike; dhe duke siguruar financim për tranzicion të drejtë të rajoneve të qymyrit dhe kalim drejt ngrohjes së qëndrueshme. Nevojiten gjithashtu mekanizma më të fortë zbatimi në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, përfshirë penalitete reale për shkeljet.”



