Home / Lajme / Kosova / Enver Hoxhaj: Kurti refuzoi sërish projekt amerikan të gazit, Kosova humbi një mundësi strategjike

Enver Hoxhaj: Kurti refuzoi sërish projekt amerikan të gazit, Kosova humbi një mundësi strategjike

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Enver Hoxhaj, ka akuzuar kryeministrin në largim, Albin Kurti, se ka refuzuar edhe një herë projektin amerikan të gazsjellësit, duke e cilësuar këtë si një goditje të rëndë për interesat strategjike të Kosovës.

Ai deklaroi se Kurti i ka thënë “jo” vazhdimit të projektit energjetik amerikan edhe gjatë ditëve të fundit, ashtu siç kishte vepruar edhe në vitin 2021.

“Me sa e di unë, zoti Kurti i ka thënë jo një kërkese amerikane sa i takon projektit të gazit. Projekti që e mori Edi Rama, sipas informacioneve që kam, është refuzuar nga Kurti edhe këtë herë. Po e them me përgjegjësinë më të madhe”, deklaroi Hoxhaj.

Sipas tij, projekti kishte rëndësi jo vetëm ekonomike dhe energjetike, por edhe për sigurinë kombëtare të Kosovës. Ai tha se gazsjellësi do ta lidhte Kosovën me rrjetin rajonal të gazit përmes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke mundësuar furnizimin me gaz amerikan.

“Në tavolinë ishte edhe njohja e Kosovës nga ana e Greqisë. Këtë e dinin zoti Kurti, zonja Gërvalla”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj përmendi edhe faktin se Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor ku ende nuk është emëruar ambasador i ri amerikan pas ardhjes së administratës së dytë të presidentit Donald Trump.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com