Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) dhe Komuna e Gjilanit kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për projektimin e Parkut Industrial në Gjilan.
Marrëveshja u formalizua nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, dhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni.
Sipas njoftimit, ky hap vjen pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për shpalljen e Parkut Industrial në Gjilan dhe synon të avancojë fazën e projektimit dhe zhvillimit të tij, përcjell Energy Monitor.
Ky projekt pritet të krijojë kushte më të favorshme për investime dhe zgjerim të kapaciteteve prodhuese, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e aktiviteteve ekonomike në komunë.
Gjithashtu, parashihet që Parku Industrial të ndikojë në hapjen e vendeve të reja të punës dhe forcimin e infrastrukturës ekonomike lokale.
Sipas palëve, projekti do të zhvillohet në përputhje me standardet e zhvillimit të qëndrueshëm, duke përfshirë parimet e ekonomisë qarkore, përdorimin e energjisë së ripërtëritshme dhe mbrojtjen e mjedisit.



