Home / Lajme / Rajoni / Serbia hapet për investime energjetike amerikane, Vuçiq përmend projekte të reja në sektorin e gazit dhe hidroenergjisë

Serbia hapet për investime energjetike amerikane, Vuçiq përmend projekte të reja në sektorin e gazit dhe hidroenergjisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të jenë një nga investitorët më të rëndësishëm në sektorin energjetik të vendit, pavarësisht marrëdhënieve të Beogradit me Rusinë dhe Kinën.

Në një intervistë për median amerikane Breitbart News, Vuçiq tha se Serbia po zhvillon dhe planifikon disa projekte energjetike në bashkëpunim me kompani amerikane, përfshirë hidroenergjinë dhe energjinë diellore.

Ai përmendi si shembull projektin “Iron Gate” në lumin Danub, pranë kufirit me Rumaninë, ku sipas tij parashikohet ndërtimi i një hidrocentrali në bashkëpunim me kompani amerikane, si dhe zhvillimi i kapaciteteve të reja me panele diellore.

Vuçiq tha gjithashtu se në fokus të diskutimeve me partnerët amerikanë janë edhe projektet për furnizimin me gaz natyror të lëngshëm (LNG), përfshirë mundësinë e përdorimit të infrastrukturës rajonale për transportin dhe shpërndarjen e gazit.

Sipas tij, një nga opsionet e diskutuar është përdorimi i portit të Barit në Mal të Zi për sjelljen e LNG-së, si dhe zhvillimi i lidhjeve infrastrukturore që do ta mundësonin transportin drejt Serbisë, përfshirë hekurudha dhe tubacione të gazit dhe naftës.

Vuçiq tha se zhvillimi i këtyre projekteve do të mund të lidhej edhe me rritjen e investimeve në qendra të të dhënave dhe infrastrukturë digjitale, duke përdorur gazin për furnizim energjetik dhe ftohje industriale.

Ndërkohë, projektet konkrete dhe afatet e realizimit mbeten ende në faza diskutimi dhe vlerësimi me partnerët ndërkombëtarë.

Në të kaluarën, Serbia dhe SHBA kanë bashkëpunuar në disa iniciativa energjetike dhe infrastrukturore, ndërsa vendi vazhdon të ndjekë një politikë të diversifikimit të burimeve energjetike.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com