Aleanca Kosovare e Bizneseve ka bërë thirrje që partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbetet prioritet në vendimmarrjen politike dhe ekonomike të vendit.
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka bërë thirrje që partneriteti strategjik i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës të mbetet prioritet në vendimmarrjen politike dhe ekonomike të vendit.
Përmes një reagimi publik, AKB vlerësoi se zhvillimi i Kosovës ka qenë i lidhur ngushtë me mbështetjen amerikane ndër vite, duke theksuar se projektet me interes strategjik duhet të ndërtohen në koordinim me aleatin kryesor të vendit.
Sipas AKB-së, qasjet politike që kundërshtojnë investimet amerikane ose projektet që lidhen me sigurinë energjetike nuk i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe perspektivës euroatlantike të Kosovës.
Aleanca shprehu veçanërisht mbështetje për projektet që lidhen me gazin natyror amerikan, duke argumentuar se ato mund të kontribuojnë në diversifikimin e burimeve të energjisë dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, deklaroi se investimet amerikane dhe bashkëpunimi strategjik me SHBA-në janë të rëndësishme për të ardhmen ekonomike të Kosovës.
“Investimet amerikane, partneriteti strategjik me SHBA-në dhe projektet energjetike janë jetike për zhvillimin ekonomik dhe orientimin euroatlantik të Kosovës”, tha Shahini.
AKB u bëri thirrje partive politike që interesat shtetërore t’i vendosin mbi kalkulimet partiake dhe të vazhdojnë forcimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara.



