Home / Lajme / Kosova / MCA Kosovo organizon punëtori për shqyrtimin e VNM-së në projektet energjetike

MCA Kosovo organizon punëtori për shqyrtimin e VNM-së në projektet energjetike

Punëtoria kishte për fokus përmirësimin e cilësisë së raporteve mjedisore dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare.

MCA Kosovo ka bërë të ditur se, në kuadër të asistencës teknike për Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, është organizuar një punëtori me Komisionin për Shqyrtimin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (EIA), me fokus në dy raste konkrete të projekteve në sektorin e energjisë.

Sipas MCA Kosovo, punëtoria u përqendrua në identifikimin e mangësive në raportet e VNM-së (EIA) dhe në mënyrat për përmirësimin e cilësisë së tyre, si dhe përafrimin me standardet ndërkombëtare të vlerësimit mjedisor, përcjell Energy Monitor.

Gjatë sesionit, pjesëmarrësit analizuan dy raste reale të projekteve energjetike dhe diskutuan qasjet për forcimin e metodologjisë së vlerësimit dhe përmirësimin e procesit të shqyrtimit.

MCA Kosovo thekson se aktiviteti është pjesë e një programi trajnimi njëvjeçar, përmes të cilit anëtarët e Komisionit kanë përfituar njohuri dhe metodologji të reja për vlerësimin e ndikimit në mjedis. Këto njohuri po aplikohen në raste konkrete me synim forcimin e kapaciteteve institucionale dhe përmirësimin e vendimmarrjes në procesin e lejeve mjedisore.

Programi synon rritjen e cilësisë së vlerësimeve mjedisore dhe mbështetjen e vendimmarrjes më të informuar në projektet e sektorit energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com