Kompania energjetike OMV Petrom ka përfunduar një projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian për zgjerimin e infrastrukturës së karikimit për automjete elektrike në Evropën Qendrore dhe Lindore, duke instaluar 384 pika të reja karikimi në Rumani, Hungari dhe Sllovaki.
Projekti është zhvilluar përgjatë korridoreve të rrjetit evropian të transportit TEN-T, duke lidhur disa nga akset kryesore rajonale, përfshirë Bratislavën, Budapestin, Oradean dhe Kluzh-Napokën. Qëllimi është krijimi i një rrjeti më të integruar për udhëtimet ndërkufitare me automjete elektrike dhe përshpejtimi i tranzicionit drejt transportit me emetime më të ulëta.
Nga gjithsej 384 pika të instaluara, 304 ndodhen në Rumani, 28 në Hungari dhe 52 në Sllovaki. Investimi i përgjithshëm i projektit arrin rreth 40 milionë euro, ndërsa një pjesë e financimit është siguruar përmes fondeve të Bashkimit Evropian në kuadër të programit Connecting Europe Facility (CEF), përcjell Energy Monitor.
Pikat e reja janë karikues me fuqi të lartë, të vendosura kryesisht në stacione ekzistuese të karburantit, duke synuar që karikimi i automjeteve elektrike të bëhet më i shpejtë dhe më i aksesueshëm për udhëtarët në distanca të gjata.
OMV Petrom ka zgjeruar ndjeshëm rrjetin e saj të elektromobilitetit në vitet e fundit. Kompania deklaron se ka kaluar nga rreth 120 pika karikimi në vitin 2022 në rreth 1.500 pika në nivel rajonal, duke u pozicionuar si një nga operatorët kryesorë të infrastrukturës së karikimit në Evropën Juglindore.
Investimet në rrjete të tilla po konsiderohen gjithnjë e më të rëndësishme për rajonin, pasi rritja e numrit të automjeteve elektrike kërkon jo vetëm prodhim më të madh të energjisë së pastër, por edhe një infrastrukturë të besueshme karikimi përgjatë rrugëve kryesore evropiane.



