Furnizuesi shtetëror bullgar i gazit natyror, Bulgargaz EAD, dhe kompania shtetërore turke e energjisë BOTAŞ kanë rënë dakord të ngrijnë për 15 muaj kushtet e marrëveshjes afatgjatë për furnizimin dhe transportin e gazit natyror. Gjatë kësaj periudhe, palët do të negociojnë ndryshime të reja në kontratë për ta përshtatur atë me kushtet aktuale të tregut.
Protokolli i ri u nënshkrua pas bisedimeve ndërmjet udhëheqësve të Bullgarisë dhe Turqisë, ndërsa sipas autoriteteve bullgare, gjatë periudhës së ngrirjes së marrëveshjes Bullgaria do të paguajë vetëm për kapacitetin e infrastrukturës që realisht përdor.
Marrëveshja fillestare mes Bulgargaz dhe BOTAŞ u nënshkrua në vitin 2023 për një periudhë 13-vjeçare. Ajo i dha Bullgarisë qasje në terminalet turke të gazit të lëngshëm natyror (LNG) dhe në rrjetin e transportit të gazit të Turqisë, me qëllim diversifikimin e furnizimit pas ndërprerjes së varësisë pothuajse të plotë nga gazi rus, përcjell Energy Monitor.
Megjithatë, kontrata është përballur me kritika të shumta në Bullgari, pasi sipas kundërshtarëve të saj kushtet financiare kanë qenë të pafavorshme për kompaninë shtetërore bullgare, e cila ka paguar për kapacitete të rezervuara edhe kur ato nuk janë përdorur plotësisht.
Përmes marrëveshjes së re të përkohshme, të dyja palët synojnë të rishikojnë kushtet ekonomike dhe teknike të kontratës, ndërsa Bullgaria kërkon të ruajë aksesin në infrastrukturën energjetike të Turqisë pa barrën financiare të kushteve ekzistuese.
Rasti është me interes edhe për rajonin e Ballkanit, pasi infrastruktura turke e LNG-së dhe rrjetet e gazit janë bërë një nga rrugët alternative për furnizimin e Evropës Juglindore pas krizës së gazit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë.



