Në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të themelimit të KOSTT-it, u organizua një panel diskutimi kushtuar bashkëpunimit rajonal dhe rolit të tij në tranzicionin energjetik dhe integrimin e tregjeve të energjisë në Evropën Juglindore.
Paneli, i moderuar nga eksperti i energjisë Lekë Batalli, mblodhi drejtues të operatorëve të sistemeve të transmetimit nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Në diskutim morën pjesë kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it, Trim Tërnava, drejtori i përgjithshëm i operatorit maqedonas MEPSO, Burim Latifi, si dhe drejtori i Departamentit të Operimit të Sistemit në OST të Shqipërisë, Elio Voshtina.
Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit ndërmjet operatorëve të sistemeve të transmetimit si një nga parakushtet kryesore për përshpejtimin e tranzicionit energjetik dhe integrimin e mëtejshëm të tregjeve rajonale të energjisë, përcjell Energy Monitor.
Sipas KOSTT-it, pjesëmarrësit theksuan nevojën për zhvillimin e interkoneksioneve të reja ndërkufitare, modernizimin e rrjeteve të transmetimit, koordinimin më të ngushtë rajonal dhe realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore.
Këto investime konsiderohen thelbësore për krijimin e një sistemi elektroenergjetik më të sigurt, më fleksibil dhe të aftë për të integruar një pjesë gjithnjë e më të madhe të energjisë së prodhuar nga burimet e ripërtëritshme.
Një pjesë e diskutimit iu kushtua edhe zhvillimit të kapaciteteve njerëzore në sektorin e energjisë. Panelistët nënvizuan rëndësinë e investimeve në formimin profesional të brezave të rinj, forcimin e ekspertizës teknike, transformimin digjital të operatorëve të rrjetit dhe rritjen e sigurisë kibernetike, si elemente të domosdoshme për një sektor energjetik modern dhe të qëndrueshëm, njofton Energy Monitor.
Paneli u organizua në kuadër të aktiviteteve që shënuan dy dekada të funksionimit të KOSTT-it, institucion që gjatë kësaj periudhe ka luajtur rol kyç në zhvillimin e rrjetit të transmetimit, integrimin rajonal të tregut të energjisë dhe avancimin e bashkëpunimit me operatorët homologë në rajon dhe Evropë.



