Kompania Lindja Solar LLC ka nënshkruar një kontratë EPC (“çelës në dorë”) me kompaninë turke YEO Technology për ndërtimin e parkut fotovoltaik me kapacitet 130 MWp në Kosovë, projekt që pritet të bëhet centrali më i madh i energjisë së ripërtëritshme në vend.
Sipas marrëveshjes, YEO do të jetë përgjegjëse për projektimin, furnizimin me pajisje, ndërtimin, instalimin, testimin dhe vënien në funksion të parkut diellor. Kontrata përfshin gjithashtu ndërtimin e nënstacionit 110 kV, linjës së transmetimit dhe të gjithë infrastrukturës për lidhjen me rrjetin elektrik.
Projekti po zhvillohet nga Lindja Solar LLC, kompani e lidhur me grupet zvicerane Orllati Group dhe Holdinova Group. Punimet për ndërtimin e parkut diellor pranë Rahovecit kanë nisur në muajin qershor, ndërsa centrali pritet të hyjë në operim gjatë vitit 2027, përcjell Energy Monitor.
Ky projekt rrjedh nga ankandi i parë i Kosovës për energjinë diellore, ku konsorciumi i udhëhequr nga Orllati dhe Holdinova u shpall fitues për zhvillimin e një centrali me 105 MW kapacitet të kyçjes në rrjet, me ofertën prej 48.88 euro/MWh në kuadër të një kontrate 15-vjeçare për diferencë (CfD) dhe një periudhe zhvillimi prej 30 vjetësh.
Projekti konsiderohet një nga investimet më të rëndësishme në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë dhe pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë, diversifikimin e burimeve dhe përmbushjen e objektivave të tranzicionit energjetik.



