Një analizë e Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA) tregon se vendet që kanë investuar më shumë në energjinë e ripërtëritshme janë më pak të ekspozuara ndaj luhatjeve të çmimeve të gazit natyror. Në gjysmën e parë të vitit 2026, energjia nga era dhe dielli u kanë kursyer konsumatorëve evropianë miliarda euro, ndërsa varësia nga gazi vazhdon të ndikojë ndjeshëm në çmimet e energjisë elektrike.
Kriza e fundit në tregjet globale të energjisë ka rikthyer në qendër të vëmendjes një pyetje themelore: cilat investime mund t’i mbrojnë më mirë sistemet energjetike nga goditjet e jashtme?
Sipas analizës së publikuar nga Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA), zgjerimi i burimeve të ripërtëritshme nuk është më vetëm çështje e politikave klimatike, por po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në uljen e ekspozimit ndaj krizave të çmimeve të karburanteve fosile, njofton Energy Monitor.
Analiza, e cila bazohet në të dhënat e 16 javëve të para të vitit 2026, vlerëson se rritja e çmimeve të gazit natyror i ka kushtuar Bashkimit Evropian rreth 13 miliardë euro në koston e energjisë elektrike me shumicë.
Në të njëjtën kohë, zhvillimi i kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme ka sjellë kursime të vlerësuara në rreth 29 miliardë euro.
Sipas EEA-së, arsyeja lidhet me mënyrën se si funksionon tregu evropian i energjisë elektrike. Edhe kur gazi përbën vetëm një pjesë të prodhimit total, termocentralet me gaz shpesh janë ato që përcaktojnë çmimin në treg në orët kur kërkesa është më e lartë.
Në anën tjetër, energjia nga dielli, era dhe hidrocentralet kanë kosto shumë të ulët operative dhe zakonisht hyjnë të parat në treg, duke ulur nevojën për aktivizimin e kapaciteteve më të shtrenjta me gaz.
Italia, Spanja dhe Polonia: tri modele të ndryshme të varësisë nga gazi
EEA thekson se ndikimi i gazit në çmimin e energjisë ndryshon ndjeshëm nga një vend në tjetrin, në varësi të strukturës së prodhimit, nivelit të zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme, lidhjeve ndërkufitare dhe fleksibilitetit të sistemit energjetik.
Në vitin 2026, Italia dhe Polonia ishin ndër vendet evropiane më të ekspozuara ndaj ndikimit të gazit në formimin e çmimeve të energjisë elektrike, përcjell Energy Monitor.
Në Itali, termocentralet me gaz ndikuan në përcaktimin e çmimit të energjisë elektrike në rreth 66% të orëve të analizuara. Gjatë periudhës së shqyrtuar, gazi mbulonte rreth 53% të prodhimit vendas të energjisë elektrike, ndërsa burimet me karbon të ulët rreth 40%.
Sipas EEA-së, Italia ka pasur rritje të kufizuar të prodhimit vendas të energjisë elektrike gjatë dekadave të fundit dhe vazhdon të mbështetet ndjeshëm në importet e energjisë.
Edhe Polonia mbetet një nga sistemet më të ekspozuara ndaj ndikimit të gazit, ku ai përcaktoi çmimin e energjisë në rreth 63% të orëve të analizuara.
Në kontrast me këto dy vende, Spanja ka ndërtuar një sistem shumë më pak të varur nga gazi.
Gjatë periudhës së analizuar, burimet me emetime të ulëta të karbonit përbënin rreth 79% të prodhimit të energjisë elektrike në Spanjë, ndërsa gazi vetëm rreth 16%.
Si rezultat, gazi ndikoi në formimin e çmimit të energjisë elektrike vetëm në rreth 9% të orëve, ndërsa çmimi mesatar i energjisë me shumicë ishte rreth 43 euro/MWh.
Sipas EEA-së, diferenca mes Italisë dhe Spanjës nuk është vetëm rezultat i kushteve natyrore apo strukturës së tregut, por edhe i zgjedhjeve strategjike të bëra gjatë dy dekadave të fundit. Spanja ka zgjeruar ndjeshëm kapacitetet nga era dhe dielli, duke u shndërruar në një eksportues neto të energjisë elektrike.
Lituania: energjia e ripërtëritshme ul ekspozimin, por kërkohet edhe fleksibilitet
Rasti i Lituanisë tregon se energjia e ripërtëritshme mund të ulë ndjeshëm varësinë nga gazi, por nuk është faktori i vetëm që përcakton çmimin final të energjisë elektrike.
Sipas analizës së EEA-së, rreth 73% e prodhimit të energjisë elektrike në Lituani vinte nga burimet e ripërtëritshme gjatë periudhës së analizuar në vitin 2026.
Megjithatë, çmimi mesatar i energjisë elektrike ishte rreth 116 euro/MWh, për shkak të faktorëve të tjerë si lidhjet me tregjet fqinje, importet, struktura e konsumit dhe nevoja për kapacitete fleksibile.
EEA vlerëson se pa zgjerimin e energjisë së ripërtëritshme pas vitit 2010, situata do të ishte dukshëm më e rëndë, transmeton Energy Monitor.
Në një skenar ku pjesa e energjisë së ripërtëritshme do të kishte mbetur në nivelin e vitit 2010, rreth 11% e miksit energjetik, çmimi mesatar i energjisë elektrike do të mund të arrinte rreth 211 euro/MWh.
Ky shembull tregon se energjia e ripërtëritshme nuk i eliminon të gjitha sfidat e sistemit, por krijon një mbrojtje të rëndësishme ndaj luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare të gazit.
Deri në vitin 2030: energjia e ripërtëritshme mund të ulë presionin mbi çmimet
Sipas skenarëve të EEA-së, zgjerimi i mëtejshëm i burimeve të ripërtëritshme mund të ketë ndikim të madh në uljen e çmimeve të energjisë elektrike në Evropë deri në vitin 2030.
Në një skenar ku projektet e reja të energjisë nga era dhe dielli zhvillohen sipas planeve aktuale, burimet e ripërtëritshme mund të arrijnë rreth 68% të prodhimit të energjisë elektrike në BE. Kjo do të zvogëlonte rolin e gazit në përcaktimin e çmimeve të tregut, përcjell Energy Monitor.
Në të kundërt, nëse zhvillimi i energjisë së ripërtëritshme do të ngadalësohej dhe varësia nga gazi do të vazhdonte, çmimet mesatare të energjisë elektrike me shumicë mund të rriteshin deri në 125%, sipas modelimit të EEA-së.
Megjithatë, raporti thekson se investimet në energjinë e ripërtëritshme duhet të shoqërohen me investime në rrjet, bateri për ruajtjen e energjisë, menaxhim të kërkesës dhe integrim rajonal të tregjeve.
Sa më shumë rritet pjesa e energjisë nga dielli dhe era, aq më e madhe bëhet nevoja për fleksibilitet të sistemit për të menaxhuar ndryshimet në prodhim.
Mësime për Kosovën dhe rajonin
Edhe pse Kosova nuk është pjesë e tregut të Bashkimit Evropian, zhvillimet evropiane ofrojnë mësime të rëndësishme për drejtimin e ardhshëm të sektorit energjetik.
Sistemet energjetike të Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të jenë të ekspozuara ndaj çmimeve ndërkombëtare të energjisë, importeve dhe kapaciteteve të vjetruara prodhuese.
Për Kosovën, e cila ende mbështetet kryesisht në linjit dhe termocentrale të vjetra, zgjerimi i energjisë nga dielli dhe era, së bashku me bateritë, modernizimin e rrjetit dhe integrimin rajonal, mund të luajë rol të rëndësishëm në rritjen e sigurisë së furnizimit, shkruan Energy Monitor.
Analiza e EEA-së tregon se energjia e ripërtëritshme nuk është vetëm një mjet për reduktimin e emetimeve. Ajo po bëhet gjithnjë e më shumë një instrument ekonomik për uljen e rrezikut, stabilizimin e çmimeve dhe forcimin e pavarësisë energjetike.



