Home / Lajme / Kosova / Kosova përgatit fuqinë punëtore të tranzicionit energjetik: nis projekti strategjik i UP-së dhe MCA-Kosovo

Kosova përgatit fuqinë punëtore të tranzicionit energjetik: nis projekti strategjik i UP-së dhe MCA-Kosovo

MCA-Kosovo dhe Universiteti i Prishtinës kanë nënshkruar Marrëveshjen e Zbatimit (Implementing Entity Agreement), duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt funksionalizimit të Qendrës për Aftësi dhe Inovacion në Energji (CESI).

Qendra CESI do të krijohet në kuadër të projektit JETA dhe synon të shërbejë si një platformë që lidh arsimin, industrinë dhe zhvillimin e fuqisë punëtore, përmes programeve të trajnimit të përshtatura me nevojat e tregut të punës në sektorin e energjisë dhe fushat e ndërlidhura.

Sipas MCA-Kosovo, kjo iniciativë synon të kontribuojë në përgatitjen e një brezi të ri profesionistësh me aftësi të nevojshme për një sektor energjetik më të sigurt, më fleksibil dhe më të qëndrueshëm.

Krijimi i CESI vjen në një periudhë kur Kosova po përshpejton transformimin e sektorit energjetik, përfshirë zgjerimin e kapaciteteve nga burimet e ripërtëritshme, modernizimin e rrjetit dhe nevojën për profile të reja profesionale në energji, përcjell Energy Monitor.

Përmes programeve të saj, Qendra pritet të krijojë lidhje më të forta mes institucioneve akademike dhe sektorit privat, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive praktike dhe teknike që kërkohen nga tregu.

Projekti JETA është pjesë e Kompaktit MCC-Kosovë me vlerë 236.7 milionë dollarë, i financuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në partneritet me Qeverinë e Kosovës.

Kompakti synon të mbështesë investime strategjike në sigurinë energjetike të Kosovës, përfshirë edhe zhvillimin e kapitalit njerëzor që do të luajë rol kyç në ndërtimin e një sistemi energjetik më rezistent dhe më të përgatitur për të ardhmen.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com