Në kuadër të ceremonisë solemne për shënimin e 20-vjetorit të themelimit të KOSTT-it, Kryeshefi Ekzekutiv i kompanisë, Trim Tërnava, ndau mirënjohje post mortem për Nazmi Mikullovcin dhe Skënder Gjonbalajn, në shenjë vlerësimi për rolin dhe angazhimin e tyre në ndërtimin dhe avancimin e operatorit të sistemit të transmetimit të Kosovës.
Mirënjohjet u pranuan nga familjarët e të ndjerëve, duke nderuar punën dhe kontributin e tyre shumëvjeçar në zhvillimin e sektorit elektroenergjetik të vendit.
Sipas KOSTT-it, përkushtimi dhe puna e Nazmi Mikullovcit dhe Skënder Gjonbalajt kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin e kompanisë dhe do të mbeten pjesë e historisë së sektorit energjetik të Kosovës, përcjell Energy Monitor.
Ceremonia u zhvillua në kuadër të aktiviteteve që shënuan 20-vjetorin e KOSTT-it, gjatë të cilave u organizuan edhe panele diskutimi mbi integrimin rajonal të tregjeve të energjisë, tranzicionin energjetik, zhvillimin e rrjeteve të transmetimit dhe transformimin digjital të sektorit.



