Qeveria e Serbisë dhe Banka Botërore kanë zhvilluar bisedime për zbatimin dhe financimin e një programi investiv prej rreth 1 miliard eurosh, i cili synon zgjerimin dhe modernizimin e infrastrukturës së gazit natyror në vend.
Sipas Ministrisë së Minierave dhe Energjisë së Serbisë, faza e parë e programit përfshin ndërtimin e segmentit të parë të gazsjellësit Nish – Velika Plana, si dhe përcaktimin e modaliteteve të financimit dhe menaxhimit të projektit në bashkëpunim me Bankën Botërore.
Ministrja e Minierave dhe Energjisë, Dubravka Đedović Handanović, tha se programi është në përputhje me prioritetet strategjike të Serbisë për ndërtimin e dy interkonektorëve të rinj të gazit, me Maqedoninë e Veriut dhe Rumaninë, me qëllim diversifikimin e burimeve të furnizimit dhe rritjen e sigurisë energjetike, përcjell Energy Monitor.
Përveç zgjerimit të rrjetit të gazit, programi parashikon edhe mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në amvisëri dhe ndërtesa publike, si pjesë e përpjekjeve për uljen e konsumit të energjisë dhe rritjen e qëndrueshmërisë së sektorit energjetik.
Autoritetet serbe vlerësojnë se investimi do të përmirësojë furnizimin me gaz, veçanërisht në pjesët jugore dhe lindore të vendit, duke forcuar gjithashtu rolin e Serbisë si nyje rajonale e tranzitit të gazit.



