Home / Lajme / Mjedisi / Pacolli përfaqëson Kosovën në Forumin e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm

Pacolli përfaqëson Kosovën në Forumin e OKB-së për Zhvillim të Qëndrueshëm

Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se po merr pjesë në Forumin Politik të Nivelit të Lartë për Zhvillim të Qëndrueshëm (HLPF 2026), që po mbahet në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Pacolli bëri të ditur se, me ftesë të ambasadorit Dr. Nabhit Kapur, do të jetë folëse në panelin e iniciativës globale WATERHer, ku do të diskutohen çështje që lidhen me ujin e pastër, rolin udhëheqës të grave dhe sfidat klimatike.

Sipas saj, gjatë forumit do të prezantojë edhe përparimin e Kosovës në sektorin e ujërave, duke përfshirë rritjen e kapaciteteve për furnizim me ujë dhe investimet në trajtimin e ujërave të zeza, përcjell Energy Monitor.

Pacolli theksoi se në kuadër të qëndrimit në New York do të zhvillohen edhe takime me partnerë ndërkombëtarë, me synim forcimin e bashkëpunimit dhe krijimin e mundësive të reja për Kosovën në fushën e mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

“Forumi Politik i Nivelit të Lartë për Zhvillim të Qëndrueshëm është një mundësi për të prezantuar punën dhe angazhimin e Kosovës në mbrojtjen e mjedisit dhe për të ndërtuar partneritete të reja ndërkombëtare,” ka shkruar Pacolli.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com