Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, së bashku me bashkëpunëtorë, zhvilloi sot një takim pune me kryesuesin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Ymer Fejzullahu dhe bashkëpunëtorët e tij.
Gjini ka bërë me dije se gjatë takimit u diskutua për gjendjen aktuale në sektorin e energjisë dhe për domosdoshmërinë e shtyrjes përpara të projekteve strategjike që garantojnë stabilitet afatgjatë për vendin.
“Në fokus të bisedës ishte rëndësia e jetësimit të projektit të gazsjellësit dhe termocentralit, si alternativa jetike për diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë energjetike në Kosovë”, ka shkruar Gjini në Facebook.
Gjini theksoi se sektori i energjisë kërkon vizion të qartë dhe vendime që mbrojnë interesin e qytetarëve dhe ekonomisë së vendit. Ai falënderoi zyrtarët e ZRRE-së për mikpritjen dhe diskutimin profesional.



