Home / Lajme / Mjedisi / Kelkos: Vazhdimi i lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan dhe Belaj është në përputhje me ligjin

Kelkos: Vazhdimi i lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan dhe Belaj është në përputhje me ligjin

Pas padisë së dorëzuar nga organizata të shoqërisë civile kundër Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për vazhdimin e lejeve mjedisore të hidrocentraleve në Deçan dhe Belaj, kompania Kelkos Energy dhe investitori Kelag International kanë reaguar duke deklaruar se procedura është zhvilluar në përputhje të plotë me legjislacionin e Republikës së Kosovës, transmeton Energy Monitor.

Në një deklaratë publike, kompanitë thonë se pretendimet e publikuara nga organizatat joqeveritare nuk pasqyrojnë gjendjen faktike dhe paraqesin një interpretim të pjesshëm të procedurës administrative.

Sipas tyre, të njëjtat pretendime janë shqyrtuar më parë nga gjykatat kompetente në Kosovë, të cilat, sipas kompanisë, kanë konfirmuar ligjshmërinë e procedurës së ndjekur.

KelKos thekson se vazhdimi i lejeve mjedisore po zhvillohet sipas procedurës administrative të paraparë me legjislacionin në fuqi dhe se hidrocentralet kanë operuar për më shumë se një dekadë me leje të vlefshme, duke qenë vazhdimisht subjekt i monitorimit mjedisor dhe mbikëqyrjes nga institucionet përgjegjëse.

Kompania: Debati publik është zhvilluar sipas procedurave ligjore

Sipas deklaratës, më 7 prill 2026 është organizuar debat publik për procesin e vazhdimit të lejeve mjedisore, i cili ishte i hapur për qytetarët dhe palët e interesuara, si me pjesëmarrje fizike ashtu edhe virtuale.

Kompania bën të ditur se gjatë këtij debati janë prezantuar rezultatet e monitorimit shumëvjeçar të projektit, menaxhimi i prurjes ekologjike dhe vlerësimi i përditësuar mjedisor nga eksperti ndërkombëtar i mjedisit, Dr. Christoph Hauer.

Sipas Kelkos, përfaqësuesit e organizatës “Pishtarët”, përfshirë Shpresa Loshajn, nuk kanë marrë pjesë në këtë debat publik dhe nuk kanë shfrytëzuar mekanizmat ligjorë të konsultimit për të paraqitur vërejtjet e tyre.

Pretendimet janë shqyrtuar edhe më parë nga gjykatat, sipas kompanisë

Në reagim thuhet se lejet mjedisore dhe vendimet administrative mbi të cilat ato mbështeten janë kontestuar edhe më parë në gjykata nga të njëjtët akterë.

Sipas kompanisë, pas proceseve gjyqësore, gjykatat kanë konfirmuar ligjshmërinë e procedurave administrative, ndërsa pretendimet e rikthyera së fundmi nuk paraqesin prova të reja shkencore apo mjedisore që nuk janë shqyrtuar më parë nga institucionet kompetente.

Kelkos: Projektet kontribuojnë në sigurinë energjetike

Kompania thekson se ka investuar vazhdimisht në monitorimin e prurjes ekologjike, mbrojtjen e biodiversitetit dhe sistemet moderne të monitorimit, duke operuar, sipas saj, në përputhje me legjislacionin e Kosovës dhe standardet evropiane.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se vlerësimet e pavarura mjedisore kanë konfirmuar se hidrocentralet operojnë pa ndikime negative në mjedis, ndërsa kontribuojnë në rritjen e prodhimit vendor të energjisë elektrike nga burime të ripërtërishme, forcimin e sigurisë energjetike dhe uljen e varësisë së Kosovës nga importi i energjisë elektrike.

Reagim edhe për fotografitë e publikuara

Kelkos dhe Kelag reaguan edhe ndaj fotografive të publikuara së fundmi në disa media, duke pretenduar se ato janë realizuar në vitin 2018 gjatë aktiviteteve të nxjerrjes së zhavorrit nga kompani të tjera ndërtimore dhe nuk lidhen me ndërtimin apo operimin e hidrocentraleve.

Sipas kompanisë, fotografia që pasqyron gjendjen aktuale të zonës është realizuar më 4 korrik 2026.

Energy Monitor rikujton se organizatat e shoqërisë civile kanë paditur Ministrinë e Mjedisit lidhur me vazhdimin e lejeve mjedisore për hidrocentralet në Deçan dhe Belaj, duke kërkuar anulimin e vendimeve përkatëse. Reagimi i publikuar nga Kelkos Energy dhe Kelag International paraqet qëndrimin e kompanisë lidhur me këtë çështje.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com