Delegacioni i organizatës Albanians for America (AFA), i përbërë nga Gino Mulliqi, Gëzim Rushiti dhe Janinë Memeti, janë pritur në takim nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.
Në këtë takim mes tjerash është folur për marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në dhe për çështje strategjike. Siç u njoftua, gjatë këtij takimi delegacioni ka diskutuar me theks të veçantë edhe për gazin amerikan, si mundësi për forcimin e sigurisë energjetike të Kosovës.
Së fundmi, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se gazi amerikan mund të shfrytëzohet nga Kosova, por sipas tij vetëm përmes termocentralit në Vlorë, jo siç ka kërkuar SHBA-ja.
“Delegacioni i AFA-së diskutoi gjithashtu për mundësitë e zhvillimit të projekteve strategjike ekonomike dhe energjetike, me theks të veçantë në projektin e gazit të lëngshëm natyror (LNG), si një mundësi për diversifikimin energjetik, forcimin e sigurisë energjetike dhe krijimin e mundësive të reja për investime dhe zhvillim ekonomik në Kosovë”, u tha mes tjerash në njoftim.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se Qeveria që udhëheq do të mund të përdor gazin e lëngshëm amerikan, por jo në mënyrën siç është kërkuar nga SHBA-ja. Ai ka thënë se Kosova do të mund të shfrytëzojë gazin përmes bashkëpunimit me Shqipërinë në termocentralin e Vlorës.
Por, kërkesë e SHBA-së dhe insistim i partive e odave të ndryshme në Kosovë është që Kosova të pranojë lidhjen me rrjetin e gazsjellësit në Maqedoni të Veriut.



