Qeveria shqiptare ka miratuar për herë të parë Planin Kombëtar të Veprimit për adresimin e varfërisë energjetike dhe mbrojtjen e klientëve në nevojë të energjisë elektrike për periudhën 2026–2030.
Dokumenti synon të krijojë një sistem të unifikuar për identifikimin dhe mbështetjen e familjeve që përballen me vështirësi për të siguruar shërbime bazë energjetike, duke vendosur një qasje më afatgjatë për trajtimin e kësaj problematike.
Sipas planit, masat nuk do të kufizohen vetëm në mbështetjen financiare për faturat e energjisë elektrike, por do të përfshijnë edhe ndërhyrje që synojnë uljen e konsumit dhe përmirësimin e performancës energjetike të banesave.
Një nga elementët kryesorë të dokumentit është krijimi i një metodologjie kombëtare për identifikimin e familjeve që preken nga varfëria energjetike, ngritja e një sistemi monitorimi dhe zhvillimi i mekanizmave për mbrojtjen e klientëve në nevojë.
Plani parashikon gjithashtu financimin e skemave të mbështetjes nga buxheti i shtetit, garantimin e mbrojtjes nga ndërprerja e furnizimit me energji elektrike dhe sigurimin e aksesit në shërbimin universal sipas kuadrit ligjor në fuqi.
Një shtyllë e rëndësishme e planit lidhet me investimet në efiçiencën e energjisë. Përmes përmirësimit të performancës energjetike të banesave dhe rinovimit të ndërtesave, synohet që familjet të ulin konsumin dhe shpenzimet për energji në mënyrë të qëndrueshme.
Varfëria energjetike lidhet jo vetëm me nivelin e të ardhurave të familjeve, por edhe me cilësinë e ndërtesave, pajisjet elektrike të përdorura dhe aftësinë për të konsumuar energjinë në mënyrë efikase.
Në këtë drejtim, investimet në izolimin termik, sistemet më efikase të ngrohjes dhe masat e tjera të kursimit të energjisë konsiderohen gjithnjë e më shumë si një instrument afatgjatë për mbrojtjen e konsumatorëve.



