Home / Lajme / Kosova / Më 21 shtator mbahet dëgjimi publik për projektin e BESS-it 45 MW/90 MWh në Sojevë të Ferizajt

Më 21 shtator mbahet dëgjimi publik për projektin e BESS-it 45 MW/90 MWh në Sojevë të Ferizajt

Operatori i Sistemit, Transmetimit dhe Tregut të energjisë elektrike (KOSTT), në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) dhe Komunën e Ferizajt, ka ftuar qytetarët dhe palët e interesuara të marrin pjesë në dëgjimin publik për Raportin e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektin e sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri (BESS) në Sojevë të Ferizajt.

Dëgjimi publik do të mbahet më 21 shtator 2026, duke filluar nga ora 13:30, në sallën e Kuvendit Komunal të Ferizajt. Pjesëmarrja do të mundësohet edhe online përmes platformës Zoom, ndërsa raporti i plotë i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis është publikuar nga MMPHI për konsultim publik.

Projekti parasheh ndërtimin e një sistemi të ruajtjes së energjisë me bateri me fuqi prej rreth 45 MW dhe kapacitet magazinimi prej 90 MWh. Kjo do të thotë se sistemi do të jetë në gjendje të furnizojë rrjetin me fuqinë maksimale për rreth dy orë, duke ofruar rezerva për balancimin e sistemit elektroenergjetik dhe duke lehtësuar integrimin e burimeve të energjisë së ripërtëritshme, përcjell Energy Monitor.

Qytetarët, institucionet dhe palët e tjera të interesuara do të kenë mundësi të paraqesin komente dhe sugjerime lidhur me ndikimet mjedisore të projektit, përpara përfundimit të procedurës së vlerësimit.

Ky investim është pjesë e Programit Kompakt të MCC-së në Kosovë, ndërsa projekti po zbatohet nga Millennium Challenge Account Kosovo (MCA Kosovo). Pas përfundimit të punimeve, sistemi i baterive do t’i transferohet KOSTT-it për operim dhe menaxhim, njofton Energy Monitor.

Sistemi i ruajtjes së energjisë me bateri synon të rrisë fleksibilitetin e rrjetit elektroenergjetik, të ulë kostot e sigurimit të rezervave, të përmirësojë sigurinë e furnizimit dhe të krijojë kushte për integrimin e një sasie më të madhe të energjisë nga era dhe dielli në sistemin energjetik të Kosovës.

Në muajt e fundit, projekti ka hyrë në faza të rëndësishme të zbatimit, ndërsa procesi i konsultimit publik për raportin e ndikimit në mjedis përbën një nga hapat e nevojshëm përpara fillimit të punimeve.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com