Home / Lajme / Rajoni / Termocentrali në Maqedoninë e Veriut blen 350 mijë ton qymyr brenda më pak se dy muajsh

Termocentrali në Maqedoninë e Veriut blen 350 mijë ton qymyr brenda më pak se dy muajsh

Kompania shtetërore për prodhimin e energjisë elektrike e Maqedonisë së Veriut, SHA EMV, ka realizuar blerjen e tretë të qymyrit për nevojat e termocentralit TEC Manastir, duke kontraktuar gjithsej 350.000 ton qymyr nga furnizues të jashtëm brenda më pak se dy muajsh.

Kontrata më e fundit është nënshkruar më 21 korrik me kompaninë “Protergia Energy”, e cila do të furnizojë 150.000 ton qymyr. Sipas EMV-së, çmimi i kontratës është 449 denarë për gigaxhul, ndërsa vlera totale arrin në 493.9 milionë denarë, ose rreth 8 milionë euro.

Nga EMV kanë bërë të ditur se furnizuesi është përzgjedhur përmes një procedure të hapur të prokurimit publik.

Kjo është kontrata e tretë për furnizim me qymyr gjatë kësaj vere. Më herët, kompania shtetërore kishte kontraktuar edhe 200.000 ton qymyr për TEC Manastir, të ndarë në dy furnizime prej 100.000 tonësh secila.

Për furnizimin e parë prej 100.000 tonësh ishte përzgjedhur po kompania greke “Protergia Energy”, ndërsa për sasinë e dytë u zgjodh kompania “Energy Max” nga Shkupi. Sipas EMV-së, vlera e përgjithshme e këtyre dy kontratave arrin në rreth 10.5 milionë euro.

Me kontratën e fundit, vlera totale e prokurimeve për furnizim me qymyr të realizuara në më pak se dy muaj arrin në rreth 18.5 milionë euro.

TEC Manastir, i vendosur në Novaci pranë Manastirit, është termocentrali më i madh me qymyr në Maqedoninë e Veriut dhe prodhuesi kryesor i energjisë elektrike në vend. Furnizimi i rregullt me qymyr konsiderohet thelbësor për ruajtjen e prodhimit të energjisë dhe sigurisë së furnizimit, veçanërisht para sezonit të dimrit.

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com