Mali i Zi ka nisur ndërtimin e Gvozd II, zgjerimit të parkut me erë Gvozd në komunën e Nikshiqit.
Projekti, i zhvilluar nga ndërmarrja shtetërore Elektroprivreda Crne Gore (EPCG) në bashkëpunim me kompaninë gjermane Nordex, do të shtojë 21 MW kapacitet të ri të energjisë së erës përmes tri turbinave.
Investimi në Gvozd II arrin në rreth 26 milionë euro dhe mbështetet me kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Faza e re pritet të prodhojë rreth 63 GWh energji elektrike në vit, njofton Energy Monitor.
Gvozd II është vazhdim i fazës së parë të projektit, Gvozd I me tetë turbina dhe me kapacitet prej 54.6 MW.
Me tri turbinat e reja, kapaciteti i përgjithshëm i parkut Gvozd do të arrijë në 75.6 MW, ndërsa prodhimi vjetor i të dyja fazave pritet të kalojë 210 GWh, përcjell Energy Monitor.
Faza e parë ka nisur operimin në vitin 2026 dhe gjatë tre muajve të parë ka prodhuar rreth 26 GWh energji elektrike, sipas EPCG-së. Parku Gvozd po ndërtohet në rrafshnaltën e Krnovos, pranë fshatit Gvozd në territorin e Nikshiqit.
Kontrata mes EPCG-së dhe Nordex për Gvozd II ishte nënshkruar në mars të këtij viti dhe përfshin furnizimin, instalimin, vënien në funksion dhe mirëmbajtjen afatgjatë të tri turbinave. Projekti është financuar përmes një kredie prej 26 milionë eurosh nga BERZH, si vazhdim i kredisë prej 82 milionë eurosh për fazën e parë.
Me përfundimin e Gvozd II, kompleksi pritet të bëhet parku më i madh me erë në Mal të Zi dhe të rrisë ndjeshëm prodhimin e energjisë së ripërtëritshme të vendit.



