Renovimet në dy objekte publike në Viti janë inauguruar pas përfundimit të investimeve në efiçiencën e energjisë, me vlerë prej 257 mijë eurosh. Investimet janë realizuar përmes një skeme ku financimi fillestar kthehet gradualisht përmes kursimeve të krijuara nga ulja e konsumit dhe faturave të energjisë.
Në Viti, Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) ka përfunduar masat në dy objekte publike, me një investim të përgjithshëm prej rreth 257 mijë eurosh.
Bëhet fjalë për SHFMU “28 Nëntori” dhe Qendrën për Punë Sociale. Punimet janë realizuar në kuadër të skemës qarkulluese të FKEE-së, me financim nga Qeveria e Kosovës, përcjell Energy Monitor.
118 mijë euro për shkollën “28 Nëntori”
Në SHFMU “28 Nëntori” janë investuar rreth 118 mijë euro. Punimet kanë përfshirë termoizolimin e mureve të jashtme dhe kulmit, ndërrimin e dritareve, instalimin e sistemit të ngrohjes me pelet, ndriçimin LED dhe kaldanë e re.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, këto masa pritet të ulin konsumin vjetor të energjisë me rreth 75 për qind, ose rreth 118 mijë kWh në vit. Investimi synon gjithashtu të përmirësojë temperaturën, ndriçimin dhe cilësinë e ajrit për nxënësit dhe mësimdhënësit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se investimet në efiçiencën e energjisë duhet të shihen edhe në kuadër të përshtatjes së ndërtesave publike me temperaturat më të larta gjatë verës.
“Efiçienca e energjisë nuk shërben vetëm për ta mbajtur ngrohtësinë brenda gjatë dimrit. Ajo ndihmon që shkolla të mbetet më e freskët edhe gjatë ditëve të nxehta”, tha Kurti.
139 mijë euro për Qendrën për Punë Sociale
Në Qendrën për Punë Sociale në Viti janë investuar 139 mijë euro. Ndërhyrjet kanë përfshirë instalimin e një kaldaje të re me kapacitet 90 kW, ndërrimin e dritareve, përmirësimin e fasadës dhe sistemit të ndriçimit, si dhe masa për përmirësimin e temperaturës dhe cilësisë së ajrit, njofton Energy Monitor.
Sipas Ministrisë së Ekonomisë, këto masa pritet të ulin konsumin vjetor të energjisë në objekt me rreth 74 për qind, duke krijuar kushte më të mira pune për stafin dhe shërbime më të përshtatshme për qytetarët.
Rizvanolli: Efiçienca pjesë e tranzicionit të drejtë
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, i cilësoi këto investime si pjesë të tranzicionit të drejtë energjetik.
“Tranzicioni i drejtë energjetik do të thotë që askush të mos mbetet prapa, që familjet, institucionet publike, nxënësit dhe punonjësit të kenë kushte dinjitoze, ndërsa njëkohësisht të kursejmë sa më shumë energji”, tha Rizvanolli.
Sipas saj, investimet në efiçiencë tregojnë se kursimi i energjisë mund të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për institucionet dhe qytetarët.
Si funksionon skema: Komunat kthejnë investimet nga kursimet
Investimet në këto dy objekte janë realizuar përmes skemës qarkulluese të FKEE-së, ku Qeveria financon fillimisht investimin, ndërsa komuna i kthen gradualisht mjetet në Fond përmes kursimeve të realizuara në faturat e energjisë, njofton Energy Monitor.
Dy objektet në Viti janë pjesë e një grupi prej 17 projektesh për të cilat auditimi energjetik dhe dizajni janë mundësuar me mbështetjen e Bankës Botërore, ndërsa investimet janë financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës përmes kësaj skeme.
Kjo mënyrë e financimit synon që fondet e rikthyera të përdoren përsëri për renovimin energjetik të objekteve të tjera publike.



