Eksperti i energjisë, Rasim Mjekiqi, vlerëson se Kosova nuk duhet ta trajtojë të ardhmen e sektorit energjetik si një zgjedhje mes shfrytëzimit të linjitit dhe importit të gazit amerikan, por duhet të ndërtojë një strategji që kombinon resurset vendore me teknologjitë, investimet dhe ekspertizën ndërkombëtare.
Në një intervistë për Buletinin Ekonomik, Mjekiqi thotë se Kosova duhet të shfrytëzojë rezervat e saj të linjitit në mënyrë racionale dhe me teknologji moderne, ndërsa njëkohësisht të investojë në burimet e ripërtëritshme dhe të shqyrtojë alternativa të tjera për sigurinë energjetike, përfshirë gazifikimin e linjitit dhe përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan.
Sipas tij, rezervat e linjitit nuk duhet të konsiderohen vetëm si problem mjedisor, por edhe si një resurs strategjik për sistemin energjetik të Kosovës.
“Kosova është në një pozitë të volitshme, sepse ka qymyrin, përkatësisht linjitin, të cilin me të drejtë mund ta quajmë ari i zi i Kosovës”, shkruan Mjekiqi, duke argumentuar se ky resurs duhet të shfrytëzohet me teknologji moderne dhe standarde të larta për mbrojtjen e mjedisit.
Ai e lidh këtë edhe me politikat e Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se, sipas tij, edhe vendet me kapacitete të mëdha teknologjike dhe ekonomike nuk po i braktisin tërësisht burimet fosile.
Mjekiqi kritikon “paradokset naive”
Mjekiqi kritikon atë që e quan “paradokse naive” në debatin publik në Kosovë për të ardhmen e energjisë.
Ai përmend deklaratat e mëhershme të disa figurave publike për mbylljen e Termocentralit “Kosova A” dhe heqjen dorë nga qymyri, ndërsa kritikon edhe thirrjet për pranimin e gazit të lëngshëm amerikan pa një analizë të plotë të alternativave.
Sipas tij, çështjet energjetike nuk duhet të trajtohen përmes sloganeve politike.
“Çështjet e energjisë nuk mund të trajtohen me slogane, me emocione apo me interesa të momentit. Ato kërkojnë vizion afatgjatë, analiza profesionale dhe vendime të bazuara në interesin e shtetit”, thotë Mjekiqi.
Ai argumenton gjithashtu se marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të maten përmes gatishmërisë për të blerë një produkt energjetik amerikan.
“Pro-amerikanizmi nuk matet me slogane elektorale dhe nuk është retorikë fushate”, shkruan ai, duke shtuar se Kosova duhet të jetë në gjendje t’u argumentojë partnerëve amerikanë se cilat janë nevojat dhe interesat e saj afatgjata.
Kërkon revitalizimin e “Kosovës A” dhe “Kosovës B”
Një nga propozimet kryesore të Mjekiqit është revitalizimi i plotë i njësive ekzistuese të termocentraleve.
Ai propozon që të revitalizohen tri njësitë e “Kosovës A”, 3, 4 dhe 5, si dhe dy njësitë e “Kosovës B”, duke ruajtur infrastrukturën ekzistuese ndërtimore dhe rrugore.
Sipas tij, ruajtja e kësaj infrastrukture mund të ulë koston e revitalizimit për 25 – 30%, njofton Energy Monitor.
Mjekiqi thekson se nuk bëhet fjalë për ndërhyrje të pjesshme, por për zëvendësimin e plotë të pajisjeve makinerike dhe elektrike me teknologji të reja.
“Revitalizimi nuk do të ketë sukses nëse bëhet, siç thotë një fjalë e urtë e popullit, ‘shto miell e shto ujë’”, shkruan ai, duke kritikuar ndërhyrjet e pjesshme të bëra ndër vite.
Sipas parashikimit të tij, pas një revitalizimi të plotë Kosova do të mund të sigurojë 1,200–1,300 MW energji elektrike edhe gjatë sezonit të dimrit.
Ai nuk e përjashton as ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet prej 400–500 MW, në hapësirën ku sot ndodhen njësitë 1 dhe 2 të “Kosovës A”.
“Kosova duhet ta ulë përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje”
Mjekiqi e konsideron përdorimin e energjisë elektrike për ngrohje si një nga problemet kryesore të sistemit energjetik të Kosovës.
Ai vlerëson se përdorimi i energjisë elektrike për këtë qëllim duhet të ulet në 20 – 25%, ndërsa investimet duhet të orientohen drejt sistemeve të tjera të ngrohjes, përcjell Energy Monitor.
Në këtë drejtim, ai propozon ndërtimin e ngrohtoreve me biomasë dhe produkte të drurit, si dhe përdorimin e lëndëve djegëse të përfituara nga mbeturinat, aty ku një gjë e tillë është teknikisht, ekonomikisht dhe ekologjikisht e arsyeshme.
Mjekiqi përmend si shembull ngrohtoren e Gjakovës, e cila përdor biomasën, ndërsa kërkon që Qeveria të subvencionojë biomasën, gazin propan-butan dhe naftën për djegie, në vend të energjisë elektrike për ngrohje.
Ai është kritik edhe ndaj politikës së subvencionimit të pompave termike, duke e konsideruar atë të gabuar.
Gazifikimi i linjitit, një alternativë që duhet studiuar
Një pjesë e rëndësishme e propozimit të Mjekiqit lidhet me gazifikimin e linjitit.
Ai thotë se teknologjitë e përdorura në ngrohtoret me biomasë mund të përshtaten në të ardhmen edhe për përdorimin e gazit, ndërsa gazifikimi i linjitit duhet të trajtohet si një alternativë që meriton studim të detajuar.
Mjekiqi propozon që për këtë çështje të angazhohet një kompani amerikane me përvojë dhe reputacion ndërkombëtar.
“Gazifikimi i qymyrit nuk është proces i lehtë dhe kërkon ekspertizë të veçantë teknike, ekonomike dhe mjedisore”, shkruan ai.
Sipas tij, Kosova duhet të zhvillojë njëkohësisht një studim për gazifikimin e linjitit dhe një tjetër për përdorimin e gazit të lëngshëm amerikan, në mënyrë që vendimi të merret mbi bazën e kostove, përfitimeve dhe ndikimeve afatgjata.
“Nuk duhet të zgjedhim mes qymyrit dhe Amerikës”
Në përfundim, Mjekiqi kundërshton idenë se Kosova duhet të zgjedhë mes burimeve të saj të linjitit dhe bashkëpunimit energjetik me Shtetet e Bashkuara.
“Kosova nuk duhet të vihet përballë një zgjedhjeje artificiale: ose qymyri, ose Amerika; ose linjiti, ose gazi amerikan”, shkruan ai.
Sipas tij, strategjia duhet të jetë kombinimi i burimeve vendore me investimet dhe teknologjitë e reja, përcjell Energy Monitor.
“Ne duhet të shfrytëzojmë atë që kemi, të kërkojmë atë që na mungon dhe të bashkëpunojmë me ata që kanë teknologjinë, kapitalin dhe ekspertizën që neve na nevojiten”, përfundon Mjekiqi.
Ai argumenton se Kosova ka nevojë për një sistem energjetik të qëndrueshëm, të sigurt dhe ekonomikisht të përballueshëm, ndërsa politika energjetike duhet të jetë afatgjatë dhe të mos ndryshojë sipas cikleve politike.



