Home / Lajme / Rajoni / BERZH shqyrton kredi prej 18.6 milionë eurosh për modernizimin e rrjetit të transmetimit në Maqedoninë e Veriut

BERZH shqyrton kredi prej 18.6 milionë eurosh për modernizimin e rrjetit të transmetimit në Maqedoninë e Veriut

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) po shqyrton një kredi deri në 18.6 milionë euro për operatorin e sistemit të transmetimit të energjisë në Maqedoninë e Veriut, MEPSO, për modernizimin e infrastrukturës kritike të transmetimit.

Sipas BERZH-it, projekti ka një kosto totale prej 21 milionë eurosh dhe do të mbështetet gjithashtu me një grant investimi prej 2.4 milionë eurosh nga Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF).

SCADA e re dhe sisteme të sigurisë kibernetike

Investimi përfshin vendosjen e një sistemi të ri qendror SCADA/EMS, sisteme të reja për sigurinë kibernetike dhe një transformator 400 kV.

Sistemi i ri SCADA/EMS do të përmirësojë monitorimin dhe menaxhimin e rrjetit të transmetimit, ndërsa investimet në sigurinë kibernetike synojnë të rrisin qëndrueshmërinë e sistemit ndaj kërcënimeve digjitale.

Projekti parashikon gjithashtu përmirësimin e kapaciteteve të transmetimit përmes transformatorit të ri 400 kV. Sipas BERZH-it, këto investime pritet të ndihmojnë edhe në integrimin e kapaciteteve të reja nga burimet e ripërtëritshme.

Përafrim me standardet evropiane

Modernizimi synon të rrisë besueshmërinë, sigurinë dhe efikasitetin e rrjetit të transmetimit të Maqedonisë së Veriut, si dhe të forcojë sigurinë kibernetike të operatorit.

Investimet do të mbështesin gjithashtu përafrimin me kërkesat e ENTSO-E dhe standardet e Bashkimit Evropian për sigurinë kibernetike, përfshirë kërkesat e direktivës NIS2.

Kredia e propozuar për MEPSO-n vjen në një periudhë kur Maqedonia e Veriut po investon njëkohësisht në prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, magazinimin e energjisë dhe infrastrukturën e rrjetit, me synim rritjen e fleksibilitetit dhe sigurisë së sistemit energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com