Bota po përballet me një rrezik gjithnjë e më të madh që çmimet e larta të energjisë të mos jenë vetëm një fenomen i përkohshëm, por të shndërrohen në një realitet më afatgjatë, me pasoja të drejtpërdrejta për inflacionin, normat e interesit dhe rritjen ekonomike.
Në edicionin më të fundit tremujor të “Investment Outlook”, ekspertët e OTP Bank paralajmërojnë se konfliktet e zgjatura gjeopolitike dhe kostot e larta të energjisë mund të mbajnë presionet inflacioniste të forta dhe, si rrjedhojë, edhe normat e interesit në nivele të larta për më gjatë.
Megjithatë, ky mjedis nuk shihet vetëm si burim rreziku. Analistët vlerësojnë se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale, si dhe tregjet dhe rajonet më pak të ekspozuara ndaj goditjeve energjetike, mund të krijojnë mundësi të reja për investitorët.
Ekonomia amerikane, sipas analizës, ka treguar deri tani një qëndrueshmëri të konsiderueshme. Pavarësisht luftës tregtare të viteve të fundit dhe tensioneve të reja gjeopolitike, SHBA ka ruajtur një ritëm rritjeje ekonomike prej rreth 2% në vit, të mbështetur kryesisht nga konsumi dhe investimet.
“Megjithatë, në perspektivë, vlerësojmë se konfliktet e zgjatura gjeopolitike dhe çmimet e larta të energjisë për një periudhë të gjatë mund të shtojnë presionet inflacioniste, ndërsa normat e larta të interesit mund të frenojnë rritjen ekonomike”, deklaron Győző Eppich, Drejtor i Qendrës së Analizave të OTP.
SHBA ka avantazhin e një pavarësie më të madhe energjetike dhe, për këtë arsye, është më pak e ekspozuar ndaj rritjes së çmimeve të energjisë krahasuar me Evropën dhe Azinë. Megjithatë, ndërprerjet në zinxhirët e furnizimit dhe transmetimi i kostove të energjisë te produktet dhe shërbimet e tjera krijojnë pasiguri si për ecurinë e PBB-së, ashtu edhe për inflacionin.
Një tjetër shqetësim lidhet me financat publike amerikane. Deficiti fiskal prej rreth 6% mbetet dukshëm mbi mesataren historike prej 3.8%, ndërsa shpenzimet për interesa mund të arrijnë potencialisht në 2 trilionë dollarë në vit deri në vitin 2036.
Presioni është reflektuar edhe në tregun e obligacioneve. Në shtator, yield-i i bonove 10-vjeçare të Thesarit amerikan kaloi pragun prej 5%, një nivel që ishte prekur për një periudhë të shkurtër në vitin 2023, por që më parë nuk ishte parë që prej vitit 2007.
Në Evropë, situata paraqitet më komplekse për shkak të varësisë më të lartë nga energjia e importuar. Megjithatë, ekonomia evropiane ka treguar deri tani një shkallë relativisht të lartë rezistence, ndërsa treguesit e besimit të biznesit vijojnë të japin sinjale pozitive.
Banka Qendrore Evropiane pret që normalizimi i çmimeve të energjisë gjatë vitit 2027 të rrisë të ardhurat e disponueshme të familjeve dhe të mbështesë konsumin. Në të njëjtën kohë, investimet në Inteligjencën Artificiale, mbrojtje dhe infrastrukturë mund të shndërrohen në burime të rëndësishme të rritjes ekonomike.
Por nëse energjia mbetet e shtrenjtë për një periudhë më të gjatë, presioni mbi konsumatorët dhe bizneset do të bëhet gjithnjë e më i dukshëm. Kompanitë evropiane vazhdojnë të përballen me marzhe relativisht të dobëta fitimi dhe rritje të moderuar, ndërsa çmimet e larta të gazit natyror mund të ushtrojnë presion të mëtejshëm mbi aktivitetin ekonomik.
Në SHBA, ndërkohë, bumi i Inteligjencës Artificiale po luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e tregjeve financiare. Rritja e fitimeve të kompanive po kompenson, të paktën deri tani, një pjesë të rreziqeve që vijnë nga energjia, inflacioni dhe normat e larta të interesit.
“Rritja globale e fitimeve prej rreth 30% është tashmë e jashtëzakonshme dhe pritet të vijojë edhe gjatë tremujorëve në vazhdim”, vlerëson Dávid Sándor, Drejtues i Multi-Asset Research në OTP Global Markets.
Rritja e fitimeve dhe përmirësimi i pritshmërive kanë ndihmuar gjithashtu në zbutjen e mbivlerësimit të tregut amerikan të aksioneve. Sipas OTP Bank, kjo klasë aktivesh është bërë ndjeshëm më e lirë në raport me fitimet e pritshme, megjithëse rreziqet vazhdojnë të kërkojnë një qasje selektive.
Në kushtet e tensioneve që lidhen me Iranin dhe rritjes së yield-eve të obligacioneve, korrigjimet e mundshme në bursë mund të krijojnë edhe pika të favorshme hyrjeje për investitorët.
Një pjesë e vëmendjes po zhvendoset gjithashtu drejt tregjeve në zhvillim. Rritja e fitimeve në këto tregje, e mbështetur edhe nga industria e Inteligjencës Artificiale, ka qenë madje më e fortë se në SHBA. OTP Bank veçon Korenë e Jugut, për shkak të ekspozimit të konsiderueshëm të ekonomisë dhe tregut të saj të kapitalit ndaj industrisë së teknologjisë dhe AI.
Perspektivë të favorshme paraqet edhe Evropa Qendrore dhe Lindore. Sipas OTP Bank, rajoni CEE e ka përballuar relativisht mirë deri tani rritjen e çmimeve të energjisë dhe kombinon rritjen e fitimeve me vlerësime tërheqëse të aksioneve dhe një peshë të konsiderueshme të sektorit financiar.
Për këtë arsye, analistët e konsiderojnë rajonin ndër alternativat më interesante për investitorët që kërkojnë ekspozim jashtë sektorit të Inteligjencës Artificiale.
Në një pozicion të ngjashëm shihet edhe Amerika Latine, ku vlerësimet e tregut mbeten të favorshme, ndërsa zhvillimet politike dhe zgjedhjet në Brazil mund të shërbejnë si katalizator shtesë në afat të shkurtër.
Në tregun e obligacioneve, OTP Bank vlerëson se rritja e yield-eve gjatë javëve të fundit mbështetet nga faktorët themelorë ekonomikë. Por një rritje e mëtejshme, dukshëm mbi nivelet aktuale, mund të krijonte pasoja serioze ekonomike dhe politike.
Autoritetet, sipas analistëve, kanë instrumente për të stabilizuar përkohësisht tregjet, por një zgjidhje e qëndrueshme do të kërkonte edhe përshtatje fiskale, veçanërisht në ekonomitë ku deficitet dhe kostot e shërbimit të borxhit janë rritur ndjeshëm.
Për mallrat, OTP Bank ruan një perspektivë neutrale, kryesisht për shkak të pasigurisë së lartë që buron nga tensionet në Lindjen e Mesme. Megjithatë, produktet bujqësore dhe uraniumi vlerësohen se mund të ofrojnë potencial të veçantë.
Në tërësi, tabloja që paraqet OTP Bank është ajo e një ekonomie globale që vazhdon të tregojë rezistencë, por që përballet me një kombinim gjithnjë e më sfidues të energjisë së shtrenjtë, inflacionit, normave të larta të interesit dhe tensioneve gjeopolitike. Në këtë mjedis, Inteligjenca Artificiale dhe tregjet më pak të ekspozuara ndaj goditjeve energjetike mund të jenë ndër burimet kryesore të mundësive për investitorët.
/ekofin.al



