Home / Lajme / Tjera / Rregullatorët evropianë diskutojnë standardet për hidrogjenin dhe gazrat me emetime të ulëta

Rregullatorët evropianë diskutojnë standardet për hidrogjenin dhe gazrat me emetime të ulëta

Rregullatorët e energjisë nga Evropa dhe rajoni i Mesdheut kanë diskutuar harmonizimin e rregullave për hidrogjenin e ripërtëritshëm dhe gazrat me emetime të ulëta, përfshirë certifikimin, përdorimin e infrastrukturës ekzistuese dhe integrimin e biometanit në tregjet energjetike.

Punëtoria e dytë e përbashkët e Këshillit të Rregullatorëve Evropianë të Energjisë (CEER), Bordit Rregullator të Komunitetit të Energjisë (ECRB) dhe Rrjetit të Rregullatorëve të Energjisë të Mesdheut (MEDREG) u mbajt në Athinë, me pjesëmarrjen e rregullatorëve dhe operatorëve të sistemeve të transmetimit.

Një nga temat kryesore ishte certifikimi i hidrogjenit të ripërtëritshëm dhe me emetime të ulëta, me theks te standardet përkatëse, besueshmëria e certifikatave dhe njohja e tyre përtej kufijve. Harmonizimi i këtyre rregullave konsiderohet i rëndësishëm për krijimin e një tregu ku gazrat mund të tregtohen dhe të transportohen ndërmjet vendeve sipas kritereve të përbashkëta.

Rregullat për infrastrukturën dhe biometanin

Pjesëmarrësit shqyrtuan edhe mundësitë e përshtatjes së rrjeteve ekzistuese të gazit për transportimin e gazrave të rinj, nevojën për infrastrukturë shtesë dhe sfidat rregullatore që lidhen me përzierjen e hidrogjenit me gazin natyror.

Në diskutime u trajtua gjithashtu integrimi i biometanit dhe gazrave të tjerë të gjelbër në kuadrin rregullator.

Përvojat e ndara nga përfaqësues të Ukrainës, Portugalisë, Austrisë, Turqisë dhe Egjiptit sollën perspektiva të ndryshme mbi mënyrën se si këto burime mund të përfshihen në tregjet kombëtare të energjisë.

Zhvillimi i rregullave të përbashkëta është pjesë e përpjekjeve për ta përshtatur sektorin e gazit me objektivat e dekarbonizimit, duke përcaktuar kushtet për certifikim, transport dhe tregtim të gazrave me intensitet më të ulët të emetimeve.

Miratohet raporti për tregjet e gazit me shumicë

Në kuadër të takimit, Bordi Rregullator i Komunitetit të Energjisë miratoi gjithashtu raportin e monitorimit të tregut “Gas Wholesale Markets in the Energy Community”, i cili shqyrton gjendjen e tregjeve të gazit me shumicë në palët kontraktuese ku funksionojnë këto tregje, si dhe në Armeni dhe Turqi si vëzhguese.

Raporti bazohet në të dhënat e vitit 2025 të mbledhura nga autoritetet rregullatore. Komuniteti i Energjisë ka bërë të ditur se do të publikojë më shumë hollësi rreth gjetjeve të raportit.

Për Kosovën, e cila aktualisht nuk ka rrjet funksional të gazit natyror, zhvillimet rregullatore rajonale janë relevante për diskutimet e ardhshme mbi infrastrukturën energjetike, alternativat e furnizimit dhe përputhshmërinë me rregullat evropiane.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com