Forumi i parë i Shkencës për Klimën në Kosovë ka vënë në fokus mënyrën se si të dhënat shkencore mund të përdoren për hartimin e politikave klimatike dhe marrjen e vendimeve publike. Në ditën e dytë të forumit, diskutimet u përqendruan te përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike, planifikimi hapësinor, tranzicioni energjetik dhe politikat për klimën.
Një punëtori e veçantë po zhvillohet për avancimin e metodologjisë së Climate Proofing, e cila synon integrimin e konsideratave klimatike në ligje, politika dhe strategji. Qasja synon që ndikimet e mundshme të ndryshimeve klimatike të merren parasysh gjatë hartimit të dokumenteve dhe masave publike.
Forumi nisi më 7 tetor, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të akademisë, institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë dhe ekspertëve. Në ditën e parë, diskutimet u përqendruan te nevoja për ta lidhur më ngushtë kërkimin shkencor me politikat publike dhe zbatimin praktik.
Shkenca në planifikimin dhe vendimmarrjen publike
Temat e trajtuara përfshijnë përdorimin e të dhënave hapësinore për planifikimin lokal, masat e përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe rolin e politikave energjetike në përballimin e sfidave klimatike.
Forumi organizohet nga GIZ Kosova, në emër të Qeverisë së Gjermanisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Universitetin e Prishtinës.
Nisma synon të forcojë bashkëpunimin mes institucioneve, komunitetit shkencor dhe politikëbërësve, në mënyrë që dëshmitë shkencore të përdoren më drejtpërdrejt në hartimin dhe zbatimin e politikave klimatike.




One Comment