Rusia ndërmori një valë të re sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, pavarësisht deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një “armëpushim lidhur me energjinë”.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se një dron rus i tipit Shahed kishte goditur një termocentral në Kiev, ndërsa sulme të tjera u regjistruan ndaj objekteve energjetike në rajonin e Kharkivit. Deri më tani, as Rusia dhe as Ukraina nuk kanë konfirmuar ekzistencën e një marrëveshjeje zyrtare për ndalimin e këtyre sulmeve.
Sulmet ruse shkaktuan gjithashtu viktima civile. Sipas autoriteteve ukrainase, tre persona u vranë dhe nëntë të tjerë u plagosën pranë një marketi në Kharkiv, ndërsa dy persona humbën jetën në qytetin e Ivano-Frankivskut, në Ukrainën perëndimore.
Ndërkohë, në Moskë dhe në qytete të tjera ruse u pezullua ose u kufizua përkohësisht trafiku ajror për shkak të kërcënimit nga dronët ukrainas.
Trump deklaroi se armëpushimi energjetik do të hynte në fuqi menjëherë dhe u bëri thirrje të dyja palëve ta respektonin atë. Megjithatë, Zelensky tha se nuk ishte informuar paraprakisht për këtë nismë, por shprehu gatishmërinë e Ukrainës për ta pranuar marrëveshjen, nëse edhe Rusia angazhohet për zbatimin e saj. Kievi po pret ende hollësi nga pala amerikane.
Nisma është mirëpritur nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe nga Komisioni Europian, të cilët mbështesin përpjekjet për një armëpushim të vërtetë në sektorin energjetik.
Paralelisht, Bashkimi Evropian pritet të diskutojë nevojat financiare të Ukrainës për vitin e ardhshëm dhe mbështetjen shtesë me dronë e raketa për forcimin e mbrojtjes ajrore. Vazhdimi i sulmeve, megjithatë, ngre pikëpyetje mbi mundësinë e arritjes dhe zbatimit të një marrëveshjeje të tillë.
/Top Channel



