Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet e një kompanie që merret me separimin e inerteve, për shkak të mungesës së lejes ujore, ndërsa ka shqiptuar tri gjoba administrative për shkelje që lidhen me menaxhimin e ujërave dhe aktivitetet e operatorëve.
Lajmin e ka bërë të ditur deputetja Fitore Pacolli, sipas së cilës, gjatë javës janë zhvilluar edhe inspektime në gurthyes, ku janë kërkuar raportet e analizave të pluhurit për vitin 2026, përcjell Energy Monitor.
Kontrollet kanë përfshirë edhe hapësirën e magazinimit të mbetjeve radioaktive në Termocentralin Kosova A. Aty janë evidentuar mangësi në menaxhimin e ujit dhe është caktuar afat për sanimin e tyre.
Inspektorati ka zhvilluar gjithashtu kontrolle për ndërhyrjet në rrjedhat ujore në disa komuna. Sipas Pacollit, inspektimet do të vazhdojnë dhe ndaj shkeljeve të konstatuara do të ndërmerren masa ligjore.



