Debati për përfshirjen e Projektligjit për Rregullatorin e Energjisë në rendin e ditës ka shkaktuar përplasje mes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), gjatë mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi, Tregti dhe Inovacion.
Deputeti i LVV-së, Taulant Kelmendi, propozoi që projektligji të shqyrtohej në mbledhjen e së martës, duke argumentuar se Qeveria ia kishte përcjellë Kuvendit më 6 nëntor dhe se ai lidhet me përmbushjen e obligimeve të Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes të Bashkimit Evropian, përmes të cilit vendi ka në dispozicion një paketë prej 882 milionë eurosh, përcjell Energy Monitor.
Kelmendi tha se ministrja e Ekonomisë ishte e pranishme dhe e gatshme ta prezantonte projektligjin, prandaj kërkoi që ai të shtohej në agjendën e komisionit.
Kryesuesi i komisionit, Arben Mustafa nga PDK-ja, kundërshtoi propozimin, duke thënë se deputetët nuk kishin pasur as 24 orë kohë për ta lexuar dhe analizuar dokumentin. Ai kërkoi që shqyrtimi të shtyhej për mbledhjen e radhës.
Mustafa rikujtoi se komisioni prej një muaji nuk kishte arritur ta trajtonte Projektligjin për Efiçiencë të Energjisë, ndërsa vuri në pikëpyetje urgjencën për shqyrtimin e projektligjit të ri.
Ai theksoi se roli i deputetëve nuk është vetëm miratimi i nismave të Qeverisë, por edhe shqyrtimi i tyre përmbajtjesor.
Nga ana tjetër, Kelmendi kundërshtoi komentet e kryesuesit, duke thënë se propozimet për ndryshimin e rendit të ditës duhet t’i nënshtrohen votimit.
Në debat u përfshi edhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, i cili iu referua nenit 34 të Rregullores së Kuvendit, duke argumentuar se deputetët duhet të njoftohen të paktën tri ditë përpara për pikat e rendit të ditës, në mënyrë që të kenë kohë t’i shqyrtojnë materialet dhe të konsultohen me palët e interesit.
Deputetja e LVV-së, Liza Gashi, ndërkaq, kërkoi respektimin e Rregullores së Punës, duke theksuar se komisioni ka të drejtë ta ndryshojë agjendën.
Në rendin fillestar të mbledhjes ishte paraparë shqyrtimi në parim i Projektligjit për Efiçiencë të Energjisë, raportimi i anëtarëve të Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe shqyrtimi i vendimit të presidentes lidhur me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.



