Home / Lajme / Kosova / Kosova dhe Austria dakordohen për zgjerimin e bashkëpunimit në energjinë e ripërtëritshme

Kosova dhe Austria dakordohen për zgjerimin e bashkëpunimit në energjinë e ripërtëritshme

Kosova dhe Austria synojnë të thellojnë bashkëpunimin ekonomik, përfshirë investimet dhe projektet e përbashkëta në energjinë e ripërtëritshme. Kjo u diskutua në sesionin e gjashtë të Komisionit të Përbashkët Kosovë–Austri për Marrëdhëniet Ekonomike Bilaterale, të mbajtur në Vjenë.

Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë, Leonita Shabani Mullarama, prezantoi planet e Kosovës për ankandet e energjisë së ripërtëritshme, të cilat synojnë rritjen e kapaciteteve prodhuese. Sipas Ministrisë, u diskutuan mundësitë për investime austriake, zhvillimin e projekteve të përbashkëta dhe shkëmbimin e ekspertizës në këtë sektor, përcjell Energy Monitor.

Në delegacionin e Kosovës ishte edhe Artan Demolli, ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit. Austria përfaqësohej nga Elisabeth Weissenböck, udhëheqëse e Drejtorisë për Marrëdhënie Ekonomike me Jashtë në Ministrinë Federale të Ekonomisë, Energjisë dhe Turizmit.

Takimi përfundoi me nënshkrimin e protokollit që përcakton hapat e ardhshëm të bashkëpunimit. Sesioni i radhës i Komisionit të Përbashkët pritet të mbahet në Prishtinë.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com