Bashkimi Evropian ka përmbyllur zbatimin e Pakos së Mbështetjes për Energjinë në vlerë prej 75 milionë eurosh, përmes së cilës kanë përfituar mbi 200 mijë familje dhe 154 biznese në Kosovë. Programi u krijua në vitin 2022, në përgjigje të krizës energjetike, me synimin për të lehtësuar kostot për konsumatorët dhe për të mbështetur investimet në efiçiencën e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme.
Pakoja përfshiu ndihmë të drejtpërdrejtë për familjet e prekura nga rritja e çmimeve, si dhe masa për uljen e konsumit të energjisë në banesa dhe biznese. Një pjesë e financimit u orientua drejt përmirësimit të kushteve të banimit dhe mbështetjes së tranzicionit energjetik.
Në aktivitetin për përmbylljen e programit morën pjesë ambasadori i BE-së në Kosovë, Dirk Schuebel, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE), Njomza Hoxha, së bashku me përfaqësues të komunave, partnerë zbatues dhe përfitues, përcjell Energy Monitor.
Gjatë prezantimit të rezultateve u theksua se programi ka sjellë mbështetje të menjëhershme për familjet, por edhe investime që synojnë kursimin e energjisë për vitet në vijim. Përfaqësuesit e institucioneve folën gjithashtu për nevojën që bashkëpunimi të vazhdojë për të rritur efiçiencën dhe sigurinë energjetike të Kosovës.
Schuebel: Pakoja ishte investim në sigurinë energjetike afatgjatë
Ambasadori i BE-së, Dirk Schuebel, tha se pakoja nuk ishte vetëm përgjigje ndaj krizës energjetike, por edhe investim në sigurinë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin drejt energjisë më të pastër.
“Pakoja e Mbështetjes për Energjinë nuk ishte vetëm një përgjigje ndaj krizës energjetike, por edhe një investim në sigurinë afatgjatë energjetike të Kosovës dhe tranzicionin e qëndrueshëm energjetik”, deklaroi Schuebel.
Sipas tij, masat e financuara nga BE-ja kanë ndihmuar familjet dhe bizneset të ulin kostot e energjisë, në përputhje me parimin evropian që efiçienca e energjisë duhet të jetë përparësi. Ai theksoi se pakoja prej 75 milionë eurosh është pjesë e mbështetjes më të gjerë të BE-së për Kosovën, e cila, sipas tij, ka tejkaluar 3.7 miliardë euro që nga viti 1999.
Schuebel nënvizoi se bashkëpunimi dhe investimet e përbashkëta do të vazhdojnë të kenë rëndësi për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme dhe forcimin e sigurisë energjetike të vendit.
Rizvanolli: Mbi 200 mijë familje përfituan nga pakoja
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se mbi 200 mijë familje kanë përfituar nga pakoja e financuar nga BE-ja, e cila u zbatua në një periudhë të vështirë për shkak të krizës energjetike.
“Mbi 200 mijë familje të Kosovës kanë përfituar nga Pakoja e Mbështetjes për Energjinë e Bashkimit Evropian në vlerë totale prej 75 milionë eurosh. Kemi mbështetur familjet për ta përballuar dimrin dhe kemi investuar për shumë dimra të tjerë që vijnë”, tha Rizvanolli.
Ajo falënderoi BE-në për mbështetjen e dhënë dhe theksoi rëndësinë e investimeve që nuk kufizohen vetëm në përballimin e kostove të menjëhershme, por ndihmojnë edhe në uljen e konsumit të energjisë në të ardhmen.
Pakoja përfshiu masa për efiçiencën e energjisë në sektorin e banimit dhe te bizneset, me synimin për të zvogëluar shpenzimet dhe për të përmirësuar kushtet e jetesës dhe të punës.
Hoxha: Investimet në banesa përfshinë 3,651 familje
Drejtoresha e FKEE-së, Njomza Hoxha, prezantoi rezultatet e programit prej 20 milionë eurosh për sektorin e banimit, i cili ishte pjesë e Pakos së Mbështetjes për Energjinë. Sipas saj, përmes këtij programi janë mbështetur 3,651 familje dhe janë përmirësuar kushtet e efiçiencës së energjisë në 28 ndërtesa të banimit social në 13 komuna.
Hoxha tha se investimet kanë ndihmuar në kursimin e energjisë, uljen e emetimeve të dioksidit të karbonit dhe përmirësimin e kushteve të jetesës. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për vazhdimin e investimeve dhe partneriteteve që mundësojnë zgjerimin e masave të efiçiencës në Kosovë.
“Gjatë krizës energjetike, kjo mbështetje u shndërrua në investime konkrete për familjet, kursime të energjisë dhe një të ardhme energjetike më të qëndrueshme”, deklaroi Hoxha.
Përmbyllja e pakos shënon përfundimin e këtij programi të financuar nga BE-ja, ndërsa sfida mbetet vazhdimi i investimeve për të ulur konsumin, për të përmirësuar efiçiencën e ndërtesave dhe për të rritur përdorimin e energjisë së ripërtëritshme.



