Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) mori pjesë në takimin e parë të Fondeve të Efiçiencës së Energjisë dhe programeve përkatëse të financimit të Komunitetit të Energjisë, të mbajtur në Vjenë të Austrisë.
Sipas njoftimit të FKEE-së, fondi u përfaqësua nga Ardiana Bokshi, drejtoreshë e Shërbimeve të Përgjithshme, e cila prezantoi përvojën e institucionit në zhvillimin institucional, forcimin e qeverisjes dhe mobilizimin e financimit për investime në efiçiencën e energjisë, përcjell Energy Monitor.
Takimi u organizua nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë dhe Banka Botërore, me fokus te fondet dhe programet që mbështesin investimet në efiçiencën e energjisë.
Për Kosovën, financimi i masave të efiçiencës mbetet i rëndësishëm për uljen e konsumit të energjisë në ndërtesa dhe amvisëri, si dhe për reduktimin e kostove të energjisë. FKEE mbështet zbatimin e projekteve për përmirësimin e performancës energjetike, përfshirë ndërtesat publike dhe ato rezidenciale.



