Home / Lajme / Tjera / Komuniteti i Energjisë: Tranzicioni energjetik kërkon financim të qëndrueshëm dhe përfshirjen e komuniteteve

Komuniteti i Energjisë: Tranzicioni energjetik kërkon financim të qëndrueshëm dhe përfshirjen e komuniteteve

Tranzicioni nga lëndët djegëse fosile drejt energjisë së pastër në Ballkanin Perëndimor kërkon plane konkrete, financim të qëndrueshëm dhe përfshirjen e komuniteteve që preken nga ndryshimet. Ky ishte mesazhi kryesor i Forumit për Tranzicion të Drejtë, të mbajtur më 20 tetor në Podgoricë, me pjesëmarrjen e mbi 100 përfaqësuesve të institucioneve, sindikatave, komuniteteve lokale, të rinjve dhe institucioneve financiare.

Forumi u organizua nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, në bashkëpunim me organizatën gjermane për bashkëpunim ndërkombëtar GIZ, në kuadër të Partneritetit Rajonal për Klimën mes Gjermanisë dhe Ballkanit Perëndimor.

Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Artur Lorkowski, theksoi se tranzicioni nuk mund të jetë i qëndrueshëm nëse vendimet merren pa përfshirjen e njerëzve që do të përballen drejtpërdrejt me pasojat e tij. Ai kërkoi gjithashtu burime të parashikueshme dhe të qëndrueshme financimi, përfshirë të hyrat vendore, në mënyrë që planet të mos mbeten vetëm në letër, përcjell Energy Monitor.

Dubravka Bošnjak, udhëheqëse e projektit në GIZ, tha se të rinjtë, punëtorët dhe grupet e cenueshme duhet të kenë rol domethënës që nga fazat e para të planifikimit. Sipas saj, vendimet duhet të pasqyrojnë nevojat e komuniteteve dhe t’u japin atyre perspektivë për të ardhmen.

Planet kombëtare si bazë për investime

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë vlerëson se Planet Kombëtare për Energji dhe Klimë mund të shërbejnë si kornizë për investimet e nevojshme për një tranzicion të drejtë nga pikëpamja sociale. Këto plane përcaktojnë objektivat kombëtare për vitin 2030 dhe mund të udhëzojnë qeveritë, investitorët dhe bankat zhvillimore në financimin e ekonomive me emetime më të ulëta.

Megjithatë, vlerësimi i parë i Sekretariatit për këto plane tregon se potenciali i tyre për trajtimin e ndikimeve sociale nuk është shfrytëzuar plotësisht. Për planet e reja, projekt-draftet e të cilave duhet të dorëzohen deri më 1 janar 2028, rekomandohet analizë më e thellë e ndikimeve te komunitetet dhe rajonet, varfëria energjetike dhe barazia gjinore.

Këto çështje janë veçanërisht të rëndësishme për ekonomitë e rajonit që mbështeten te qymyri për prodhimin e energjisë elektrike. Mbyllja ose transformimi i minierave dhe termocentraleve mund të ndikojë në punësim dhe në ekonomitë lokale, prandaj zhvillimi i alternativave ekonomike dhe krijimi i vendeve të reja të punës duhet të ecin paralelisht me dekarbonizimin.

Në forum, të rinjtë nga Ballkani Perëndimor prezantuan rekomandime për përfshirjen e tyre në planifikimin e tranzicionit. Programi përfshiu gjithashtu ndarjen e çmimeve “Just Transition Young Voices” dhe ekspozitën fotografike “Women Powering Energy”, e cila synon të rrisë dukshmërinë e rolit të grave në sektorin energjetik.

Forumi mbahet çdo vit dhe synon të forcojë dialogun rajonal mes institucioneve, sektorit energjetik, shoqërisë civile dhe komuniteteve që preken nga transformimi i sistemit energjetik.

/Energy Monitor

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com