Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) do ta ndalë në mënyrë të kontrolluar njësinë B2 të Termocentralit Kosova B, të shtunën pas mesnate, për shkak të problemeve teknike të evidentuara.
Sipas njoftimit të KEK-ut, ndalja është planifikuar për më 24 tetor, rreth orës 00:15, si masë parandaluese për të mbrojtur pajisjet nga dëmtimet e mundshme dhe për të ruajtur sigurinë e operimit, përcjell Energy Monitor.
Ekipet profesionale dhe teknike janë në gatishmëri për të nisur sanimet sapo të krijohen kushtet e nevojshme. Sipas vlerësimeve aktuale të korporatës, punimet pritet të përfundojnë gjatë fundjavës.
KEK-u ka bërë të ditur se publiku do të njoftohet me kohë për rikthimin e njësisë në operim.
Ndalja e B2 vjen në një periudhë kur funksionimi i kapaciteteve prodhuese të KEK-ut mbetet me rëndësi për sigurinë e furnizimit me energji elektrike në vend.



